Kurti: Fitores së shkurtit duhet t’ia bashkëngjesim fitoren e tetorit komunë për komunë
Kryeministri i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një videomesazhi ka filluar fushatën politike për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Ai tha se komuna është fillimi i çdo politike dhe është vendi ku qytetarët ndajnë së bashku të mirat që mund t’i sjellë një politike e ndershme, ashtu si edhe vendi ku ata organizohen për të zgjidhur problemet.
Kurti tha se Kosova ka arritje të pamohueshme sa i përket institucioneve,, por sipas tij, fitorja më e madhe e Kosovës, është qytetari i saj i cili e urren korrupsionin politik.
“Më shumë e më parë se në cilindo nga vendet e tjera ballkanike, qytetari i Kosovës e dënon politikën kur ajo e dobëson vendin tonë”.
“Prandaj kam sigurinë se në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor, qytetarët e Kosovës, kudo, do të votojnë për projektin modernizues, të ndershëm e humanistë, të kandidatëve që mbështet Lëvizja VETEVENDOSJE!, e jo për politikat që kthejnë abuzimet me miliona euro dhe arrogancën e dhunën e pushtetarëve”, është shprehur Kurti përmes një videomesazhi.
Tutje, kreu i VV-së përmendi edhe mos-shtyerjën e zgjedhjeve, përkundër rekomandimit të IKSHPK-së, duke thënë se tash, atyre u duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe fitores së kësaj partie në zgjedhjet nacionale të shkurtit, t’ia bashkëngjesim fitoren e tetorit komunë për komunë teksa bëri thirrje edhe për respektim të masave anti-COVID dhe për vaksinim.
Tash, neve do të na duhet të marrim pjesë në zgjedhje dhe fitores së shkurtit në mbarë Republikën t’ia bashkangjesim atë të tetorit komunë për komunë.
“E dimë se zhvillimi e përparimi, shtimi i mirëqenies, luftimi i korrupsionit, janë të vështira. E dimë po ashtu se regresi, kthimi pas në situatën e pandëshkueshmërisë, është i lehtë sepse të korruptuarit ende janë aty, të rinj e të vjetër, edhe nëpër komuna, dhe janë gjithnjë të gatshëm për pushtet, përderisa ende nuk është reformuar sistemi i drejtësisë”, është shprehur Kurti, transmeton Klankosova.tv.
I pari i Qeverisë së Kosovës tha se ndryshimet e bëra në qeverisje mundësojnë ndryshimet e nevojshme nëpër komuna, e sipas tij, kur qytetarët i ndryshojnë komunat për të mirë, ndryshimet e dëshiruara në vend përshpejtohen.