Paralajmërimi për ndihmë nga SHBA-të tund Bullgarinë
Paralajmërimet se SHBA-të së bashku me Estoninë do të ndihmojnë në përpjekjet për proceset eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, kanë zgjuar opinionin publik bullgar i cili pyet nëse Bullgaria do të detyrohet të lëshojë pe në lidhje me pozitat e saj për Maqedoninë pasi sekretari shtetëror Entoni Blinken deklaroi se SHBA-të qëndrojnë 100% prapa Shkupit për çështjen e eurointegrimit. Ministri i jashtëm Bujar Osmani thotë se SHBA-të tashmë janë kyçur për të ndihmuar vendin tonë në mënyra të ndryshme.
“SHBA-të janë të përfshira edhe në komunikim me vendet anëtare, në komunikim me BE-në, duke treguar rëndësinë gjeopolitike të perspektivës evropiane të rajonit dhe këtë e bëjnë në të gjitha mënyrat e mundshme, por gjithashtu na ndihmojnë edhe përmes fondeve, edhe përmes asistencës së drejtpërdrejtë na ndihmojnë t’i arrijmë kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme.
Osmani thotë se edhe më tutje vazhdojnë përpjekjet me qeverinë e përkohshme të Bullgarisë për të gjetur zgjidhje. Përveç akuzave të vazhdueshme se shteti ushtron presion ndaj qytetarëve të cilët deklarohen si bullgarë, në periudhën e fundit nga Sofja dërgojnë sinjale se kërkesa e ardhshme është që në Kushtetutën e Maqedonisë të figurojnë edhe bullgarët. Osmani thotë se deri më tani nuk ka kërkesë të tillë zyrtare megjithatë nuk e përjashton mundësinë për një gjë të tillë.
“Në komunikimin mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka iniciativë të tillë. Nuk është iniciuar as nga ana jonë, e as nga ana e tyre. Por, parimisht si qëndrim, ne jemi shoqëri multietnike, ne njohim organizimin e qytetarëve në bashkësi etnike, për dallim nga Kushtetuta bullgare, e cila nuk e njeh këtë. Në preambulë janë numëruar 7-8 bashkësi etnike dhe me të vërtetë nuk shoh asnjë arsye që bullgarët të mos përmenden në Kushtetutë, edhe kroatët të mos përmenden në Kushtetutë”, shtoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Bullgaria gjendet në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të treta parlamentare dhe përballet me krizë të thellë politike. Për shkak të situatës së këtillë, është gjithnjë e më e pasigurt se së shpejti do të mund të arrihet një zgjidhje e përbashkët dhe të zhbllokohet procesi i eurointegrimeve të Maqedonisë gjatë presidencës sllovene me BE-në.