Regjistrimi do të përfundojë në ora 20:00, Mariciq uron regjistruesit dhe Entin për Statistika
30 shtatori, dita e fundit e regjistrimit të popullsisë. Ndërkohë ka ende qytetarë të cilët shkojnë nëpër objektet e Komunave për të regjistruar sepse regjistruesit nuk kanë kaluar në shtëpitë e tyre. Në Komunën e Çairit, Bekim Berisha, instruktor shtetëror, tha për TV21 se ka mbetur një numër shumë i vogël i qytetarëve të Çairit që nuk janë regjistruar, por që deri në fund të ditës do të kryhet procesi.
“Njerëzit vijën të regjistrohen edhe në zyrat e Komunës, mirëpo sot është numër më i vogël për arsye se e gjitha Komuna e Çairit është e mbuluar. Ka shumë lagje dhe rrethe regjistruese që janë me nga 2 dhe 3 regjistrues në terren”, tha Bekim Berisha – instruktor.
Ata që kanë mbetur pa regjistruar, janë raste të izoluara, thanë nga Enti Shtetëror i Statistikave. Vlerësojnë se në pjesën dërmuese të komunave në shtet aktivitetet në terren kanë përfunduar, ndërsa në disa mjedise, regjistruesit janë në terren dhe po vizitojnë amvisëri që asnjë të mos lëshohet.
“Këto janë raste të izoluara në të cilat regjistruesi nuk ka arritur të realizojë kontakt me qytetarë dhe t’i regjistrojë dhe për këtë Enti Shtetëror i Statistikave apelon deri te të gjithë qytetarët të cilët janë ende të paregjistruar, t’i vizitojnë pikat në komunat e tyre dhe të regjistrohen. Gjithashtu edhe në ndërtesën e Entit Shtetëror të Statistikave ka pikë ku mund të regjistrohen individë nga i gjithë territori i Shkupit”, thonë nga Enti Shtetëror për Statistikë.
Regjistrimi do të përfundojë në ora 20 e mbrëmjes, pas çka Enti Shtetërorë për Statistika do të ketë konferencë për media, ku do të kumtohen detajet dhe informacionet e fundit të procesit statistikorë.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariciq, edhe pse pa përfunduar procesi i regjistrimit, uroi Entin e Statistikave për kryerjen e operacionit statistikorë me sukses.
“Unë mund vetëm të shpreh kënaqësinë dhe urime për Entin Shtetëror për Statistikë dhe të gjitha institucioneve të cilat ishin të përfshira për zbatimin e regjistrimit. Ky ishte me të vërtetë një operacion i rëndë dhe kompleks, i cili për herë të parë bëhet pas 20 viteve dhe me metodologjinë më të re të Eurostat, dhe jo në letër, por me kompjuterë dhe tabletë”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Mariçiq tha se regjistrimi kishte probleme reale teknike dhe sulme të hakerëve, të shumta të cilat për fat të mirë u tejkaluan me sukses, ndërsa të dhënat e regjistrimit do të bëhen të ditura pas 6 muajsh kur edhe të përfundojë përpunimi i tyre. Sipas të dhënave të fundit të Statistikave deri dje janë regjistruar afër 1 milionë e 800 mijë qytetarë./tv21