Maqedoni

Sela: U dogjën të gjallë 14 njerëz, pushteti të ndal kërcënimet ndaj familjarëve dhe mjekëve

Shpërndaje

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka kërkuar nga pushteti që të mos bëj presion dhe siç tha ai kërcënime ndaj familjarëve të viktimave nga tragjedia në spitalin modular të Tetovës, transmeton Alsat. Sela shkruan se “pushteti po tenton që me kërcënime dhe shantazhe të amnistoje veten nga përgjegjësia”.

Postimi nga Sela:

U dogjën të gjallë 14 njerëz, tani mbani larg duart nga familjarët dhe mjekët

Sikur mos mjaftonin 14 viktimat e djegura së gjalli, në vend që të sigurojë hetime të drejta dhe rasti mos përsëritet, pushteti po tenton që me kërcënime dhe shantazhe të amnistoje veten nga përgjegjësia. Ditëve të kaluara po bëhet presion mbi familjarët e viktimave dhe mjekët e spitalit të Tetovës.

Ibin Emshiu, i riu që humbi babain dhe vëllaun në zjarr ka denoncuar se po e kërcënojnë që të mos flasë dhe të tregojë të vërtetën për kushtet dhe zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë. Nga ana tjetër disa mjekë kanë denoncuar se u bëhet presion që të nënshkruajnë peticion në mbrojtje të njërit drejtor të spitalit të Tetovës, në stil të njëjtë si tentimi i drejtorëve të klinikave të Shkupit për të shpëtuar Filipçen.

Ju bëj thirrje që urgjentisht të ndaloni presionet e këtilla, leni hetuesit të bëjnë detyrën e tyre pa ndërkëmbëza politike. Respektoni viktimat dhe familjet e tyre, si dhe stafin mjekësor që edhe ashtu e keni lënë të punojë në kushte mizore.

Ju siguroj se, o sot o nesër, përgjegjësit për djegjen e 14 shpirtrave, si dhe ata që pengojnë hetimin, kërcënojnë e shantazhojnë, do të zbulohen dhe do të dalin para drejtësisë.