“Zbuten serbët”, Ministri i Mbrojtjes, për Kosovën: S’kemi hyrë aty ku s’duhet!
Beogradi zyrtar ka nisur t’i zbusë qëndrimet e saj sa i përket vendimit të Qeverisë Kurti për reciprociteti për targat dhe futjen e Njësisë Speciale në veri.
Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanovic është deklaruar edhe rreth manovrave të ushtrisë serbe në Jarinje dhe Bërnjak.
Sipas tij, ushtria kishte ngritur nivelin e gatishmërisë me urdhër të presidentit, Aleksandar Vuçiq, transmeton Indeksonline.
Siç shpjegoi ai, kjo i referohet të gjithë zonës së sigurisë tokësore përgjatë vijës administrative me Kosovën “por që nuk kanë hyrë askund ku nuk duhet të hyjnë”.
Stefanoviç tha për Pink TV se ushtria ishte “gati për të mbrojtur njerëzit e saj” dhe se ngritja e gatishmërisë luftarake dhe prania e saj përgjatë vijës me Kosovën ishte “kryesisht një mekanizëm parandalues”.
“Ne kemi të drejtë të vendosemi në territorin tonë, askush nuk do të na thotë se çfarë të bëjmë, ky është vendimi ynë sovran. Ne nuk po shkelim asnjë marrëveshje ndërkombëtare, ushtria nuk ka hyrë askund ku nuk duhet të hyjë”, deklaroi Stefanovic.
Kujtojmë se KFOR-i ka njoftuar se ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke i shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e protestuesve serbë dhe ka vendosur njësitet e veta edhe në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori, Franco Federici, ka njoftuar se masat e marra, që janë biseduar paraprakisht me institucionet e Kosovës dhe kryetarët e komunave veriore, kanë qëllim shtensionimin e shpejt të situatës.
“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të siguirtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar Federici.
KFOR-i përgjatë ditës ka bërë të ditur se e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës.