RajoniTop Lajme

“Do jesh e imja ose e askujt” Vdekja e 19 vjeçares shqiptare sjell protesta në Malin e Zi

Shpërndaje

“Ose je e imja ose e askujt tjetër” Kështu i ka thënë 28 vjeçari Ilir Gjokaj partneres së tij 19 vjeçare Shejla Bakija, përpara se t’i merrte jetën duke e qëlluar me breshëri automatiku.

Ngjarja tragjike e ndodhur pak ditë më parë në Tuz të Malit të Zi, ka sjellë një vorbull reagimesh, indinjate e protestash (të mbajtura sot) në Malin e Zi, nga qytetarë e anëtarë të shoqërisë civile.

Sipas medias lokale, Shejla jetonte prej disa kohësh me Ilir Gjokën. Të rinjtë nuk ishin martuar, por bashkëjetonin. E duket se bashkëjetesa nuk ka qenë e mirë, pasi disa javë më parë, Shejla e kishte denoncuar në polici 28 vjeçarin. Denoncimi nuk ishte marrë parasysh nga prokuroria, siç raporton media lokale.

Shejla ishte larguar nga banesa e 28 vjeçarit, ndërsa ky i fundit më 30 shtator shkoi në shtëpinë e prindërve të 19 vjeçares dhe kërkoi që ajo të vinte me të. Me t’u refuzuar, i riu ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar. 19 vjeçarja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa plumbat kanë lënë të plagosur rëndë babain e saj.

Pas krimit Ilir Gjokaj është larguar dhe ende nuk është gjetur nga policia. Hetuesit mendojnë se 28 vjeçari e ka planifikuar me detaje vrasjen e më tutje arratisjen e tij.

Ndërkohë qytetarë, figura publike e anëtarë të shoqërisë civile thirrën një protestë paqësore këtë të dielë në Tuz, nga ku kërkuan zbardhjen e plotë të ngjarjes, arrestimin e vrasësit dhe shpjegimin e autoriteteve, se përse nuk u morën parasysh denoncimet që 19 vjeçarja kishte bërë pak javë (gusht) më parë në drejtim të bashkëjetuesit. Protesta zgjati 19 minuta, në simbolikë me moshën e të ndjerës.