RajoniTop Lajme

Kurti takohet me përfaqësues të Këshillit Amerikan për Edukim Ndërkombëtar

Shpërndaje

Deri më tani, Fondi Kosovar Amerikan i Edukimit (KAEF) ka ndarë mbi 100 bursa studimi në universitetet më të dalluara amerikane për studentë premtues. Për të diskutuar mbi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe KAEF-it, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me shefin e Stafit të Kryeministrit, Luani Dalipi dhe zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë edhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, pritën në takim një delegacion nga Washingtoni, të përbërë nga ish-Zëvendës Asistenti kryesor dhe Ushtruesi i Detyrës së Ndihmës Sekretarit në Byronë e Çështjeve Arsimore dhe Kulturore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aktualisht Kryetarin e Bordit të Këshillit Amerikan për Edukim Ndërkombëtar, Mark Taplin, Nënkryetarin e këtij këshilli, Michael Curtis dhe Përfaqësuesin e Këshillit Amerikan për Edukim Ndërkombëtar në Kosovë, Gjeni Shporta.

Kurti tha se vlerëson lart kontributin e KAEF-it dhe përfituesve të tij në ekonominë edhe shoqërinë tonë. Shumë prej tyre janë individë që falë përvojave dhe aftësive të krijuara gjatë studimeve në universitete amerikane japin kontribut të çmueshëm në sektorin privat dhe publik.  Ai shtoi se arsimi është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të Kosovës, prandaj edhe renditet lart në prioritetet e qeverisë.

Të pranishmit u njoftuan edhe për synimet e qeverisë për ta orientuar arsimin e lartë drejt kërkimit shkencor nëpërmjet themelimit të Fondit të Hulumtimeve dhe angazhimin në sigurimin e bursave për studim brenda dhe jashtë vendit për studentë të dalluar.

Taplin, Curtis dhe Shporta e falënderuan kryeministrin Kurti dhe zëvendësministrin Pupovci për takimin dhe për gatishmërinë për bashkëpunim.