Shpiket roboti 4D, arrin të perceptojë prekjet
Një robot i butë 4D, që mund të ndryshojë formën e tij dhe pastaj të rifitojë atë origjinale, në gjendje të rrokulliset, të ndryshojë në përgjigje të stimujve të jashtëm dhe të perceptojë prekjen, u realizua nga Universiteti i Tianjin në Kinë, i paraqitur më pas nga revista “Matter” e “Cell Press”, citon “Xinhua”.
Roboti është në gjendje të rrokulliset në një mënyrë të fuqishme dhe të qëndrueshme dhe të menaxhojë shpejtësinë dhe drejtimin duke ndryshuar në mënyrë autonome formën dhe madhësinë. Sjellja inteligjente e robotit rrjedh nga aftësia e tij perceptuese, bazuar në inteligjencën artificiale.
Ekipi kërkimor zhvilloi robotin inteligjent me perceptim dhe përshtatshmëri duke përpunuar polimeret e kristaleve të lëngshme përmes printimit 4D.
“Roboti i butë mund të përshtatet me mjedise të ndryshme të pastrukturuara dhe të ndërveprojë me njerëzit në mënyrë më të sigurt”, -deklaroi Feng Wei, ekspert në Universitetin e Tianjin.
Roboti mund të mbajë një ngarkesë 40 herë më të madhe se pesha e tij dhe ka perspektiva të gjera aplikimi në transportin e mallrave dhe eksplorimin inteligjent në kushte ekstreme të temperaturave të larta.
Përmes perceptimit të nxehtësisë, roboti mund të ndryshojë në mënyrë të pavarur formën dhe të rregullojë shpejtësinë dhe drejtimin e lëvizjes.
Aftësia e tij për të kontrolluar në mënyrë autonome drejtimin e rrotullimit nënkupton një perceptim prekës të ngjashëm me atë të një insekti me antena, që e ndihmojnë të zbulojë pengesat dhe të reagojë në mënyrë të përshtatshme, për shembull duke kapërcyer ose anashkaluar pengesat e bazuara në lartësinë e tyre.
Sipas Feng, i gjithë procesi i drejtimit të këtij roboti të butë është automatik dhe mund të përfundojë detyrat pa kontrollin njerëzor.