Si i përdori paratë e shtetit, skandali i korrupsionit që fundosi kryeministrin austriak
Kancelari austriak, Sebastian Kurz njoftoi një ditë më parë se do të jepte dorëheqjen, ndërsa frerët e vendit tani i kalojnë ministrit të Jashtëm Alexander Schallenberg.
Vendi ndodhet në një fazë të ndjeshme, tha ai duke shtuar se nuk ishte e “ përgjegjshme të rrëshqasin në muaj të tërë kaosi e stanjacioni”. Shpresat e kancelarit janë që partia e vet konservatore të vazhdojë koalicionin qeverisës me Të Gjelbrit.
Në këtë mënyrë, do të shmangej një koalicion katërpartiak, që varet nga “mëshira e Herbert Kickl”, pra partisë populiste, FPÖ, e cila e humbi pushtetin ne 2019 pas aferës Ibica. New York Times sakaq thotë se partnerët e koalicionit qeverisës kishin kërcënuar tërheqjen prej tij nëse Kurz nuk zëvendësohej si kancelar.
Hetimet e bëra publike para pak ditësh drejtohen kundër tij për shpërdorim, ryshfet dhe korrupsion. Kurz fillimisht kishte kërkuar të qëndronte kancelar. Ai i hodhi poshtë edhe njëherë poshtë akuzat, duke i cilësuar të gabuara.
“Unë mund ta sqaroj të gjithë këtë situatë”, u shpreh kryeministri. Sipas prokurorisë, Kurz dyshohet për blerje të raportimit pozitiv për të në një media, për të hapur rrugën drejt kreut të partisë në vitin 2016.
Për këtë dyshohet të jenë keqpërdorur fonde të Ministrisë së Financave. Kjo është hera e dytë që Sebastian Kurz detyrohet të japë dorëheqjen përpara fundit të mandatit, dhe është po hera e dytë që largimi i tij lidhet me akuza për korrupsion./Top Channel