Grubi – Linhart: Maqedonia e Veriut meriton hapjen e negociatave me BE
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi sot realizoi takim me ministrin federal për Çështje Europiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Michael Linhart.
Të dy bashkëbiseduesit konstatuan se marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyeshme në të gjitha sferat dhe se në këtë frymë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi e njoftoi ministrin austriak Linhart për situatën politike në vend, reformat që po ndërmerr Qeveria në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Europian, reformat në sistemin gjyqësor, administratë dhë në sfera tjera.
Grubi gjatë këtij takimi pohoi se vendit i nevojitet një Qeveri stabile, pro europiane që do të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, atë të Prespës, marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe do të realizoj projektet kapitale që do të ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësor.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi i tha z. Linhart se shpreson se Maqedonia e Veriut do të arrijë marrëveshje me Bullgarinë dhe me 14 dhjetor në Samitin e Komisionit Europian do të marrë datë për fillimin e negociatave.
Grubi gjithashtu falënderoi ministrin federal për Çështje Europiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Michael Linhart për mbështetjen që në vazhdimësi Austria ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut për integrimin e vendit dhe në zbatimin e reformave të brendshme.
Ndërkaq, ministri austriak Linhart konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për fillimin e negociatave të RMV-së me Bashkimin Europian duke nënvizuar se integrimi i Ballkanit perëndimor në familjen europiane është më se i nevojshëm sepse në fakt ky rajon i takon Europës.
Linhart theksoi se Austria do të vazhdojë të mbetet e angazhuar që sa më parë Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet jo vetëm për faktin që ky rajon do të paraqet pasuri ekonomike për BE-në por edhe nga fakti se është pjesë e rëndësishme për një Europë edhe më të fuqishme.
Në fund të këtij takimi zëvendëskryeministri i parë z. Grubi dhe dhe ministri austriak Linhart theksuan se Maqedonia e Veriut dhe Austria kanë bashkëpunim të mirë edhe në sferën e ekonomisë, me ç’rast dhjetëra kompani me kapital austriak veç më funksionojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut që është indikacion i qartë për thellimin e këtij bashkëpunimi.