BotaRajoniTop Lajme

Mediumi spanjoll: Spanja po e përgatit kthesën historike karshi Kosovës

Shpërndaje

Qeveria e Pedro Sanchezit po përgatitet për një kthesë historike sa i përket qëndrimit të Spanjës për Kosovën. Qeveria spanjolle pritet ta njoh de fakto shtetin e Kosovës.

Burime diplomatike për gazetën spanjolle, “The Objective” thonë se fillimisht mund të hapet një zyre tregtare apo kulturore në Prishtinë, siç ndodhi gjatë regjimit të Frankos me BRSS-në dhe vendet e tjera komuniste, pa nënkuptuar njohjen e plotë, por nga Zyra për Informim Diplomatik (OID) i kanë thënë gazetës se këto opsione nuk janë në tavolinë për momentin dhe se të tjera janë duke u studiuar.

Sekretari i Shtetit për Bashkimin Evropian, Juan Gonzalez-Barba, e bëri të qartë këtë të premte në një seminar të Institutit Mbretëror Elcano. Ai tha se Spanja nuk do ta njohë diplomatikisht Kosovën përderisa nuk ka marrëveshje dypalëshe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por për herë të parë “hapi derën” për “një kapitull të ri” me autoritetet kosovare, transmeton Telegrafi.

Në këtë kuptim, zyrtari i Punëve të Jashtme theksoi se Spanja dëshiron të jetë “më e përfshirë” në rajon dhe se kjo strategji do të ishte e mangët nëse Kosova vazhdon të injorohet “plotësisht”.

“Duhet të ketë një marrëveshje kompromisi dhe ne po shqyrtojmë tani forma të ndryshme….”, tha ai duke iu referuar Kosovës gjatë një audience me diplomatë dhe ambasadorë ballkanikë.

Gonzalez-Barba theksoi se ky vendim “do të merret së shpejti”, duke lënë të kuptohet se hapi diplomatik është i pashmangshëm. “Sigurisht, ne do të përpiqemi të vendosim ‘rrethin në katror’. Ne duam që vendimi të kuptohet nga Serbia, partneri ynë kryesor në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai, duke e ditur sesa temë e nxehtë është kjo çështje në Beograd.

“Ne duam të kontribuojmë në përpjekjet e të gjitha vendeve anëtare dhe të të dërguarit të Përfaqësuesit të Lartë, ish-ministrit të Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak – për të arritur marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe shpresojmë që përpjekjet tona do të njihen dhe vlerësohen nga vendet e Ballkanit”, përfundoi ai.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian – së bashku me Greqinë, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Pikërisht, deputeti i partisë PNV në parlamentin spanjoll, Aitor Esteban, i kërkoi Sanchezit javën e kaluar që Spanja ta njohë Kosovën si shtet.

“Njiheni Kosovën. Ne jemi përballur edhe në futboll”, këmbënguli Esteban para kreut të ekzekutivit spanjoll në seancën plenare, në të cilën u diskutua samiti i fundit BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Slloveni më 6 tetor.

Ndryshe, Sanchez ishte presidenti i parë spanjoll që u ul në një samit ballë për ballë me një lider shtetëror të Kosovës, kryeministrin Albin Kurti pavarësisht faktit se nuk kishte flamuj apo simbole. /Telegrafi/