Maqedoni

Mickoski për takimin Gashi-Zaev: Nëse mendon për Qeveri me LSDM, atëherë kemi qëndrime të ndryshme

Shpërndaje

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke e komentuar takimin e Afrim Gashit me Zoran Zaev, tha se i di qëndrimet e Gashit, sepse çdo ditë kanë pasur komunikim. Shpreson se njeriu i parë i Alternativës do ta marrë vendimin më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, duke shtuar se nëse qëndrimi i Gashit është të ketë Qeveri e cila do të udhëhiqet nga LSDM-ja dhe Zoran Zaev, atëherë kanë këndvështrime të ndryshme me VMRO-në. Ndryshe, Alternativa ishte njëra nga partitë, 4 deputetët e së cilës e nënshkruan iniciativën për rrëzimin e Qeverisë, e cila dështoi pasi Kastriot Rexhepi nga Besa nuk u paraqit në seancën ku duhej të votohej mosbesimi i Qeverisë.

“Unë i di qëndrimet e Gashit, për shkak se jemi në komunikim të përditshëm në lidhje me funksionimin e kësaj qeverie. Por, ai është lider i partisë politike e cila ka strukturë të vet, udhëheqësi të vet, bashkëpunues, supozoj se do të vendosë mirë dhe do të sjellë vendim i cili do të jetë më i mirë për anëtarësinë e tij, për qytetarët e Maqedonisë por edhe për të ardhmen e Maqedonisë. Nëse ai mendon se ardhmëria e Maqedonisë është qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe Zoran Zaevi, atëherë më vjen keq, por ne kemi qëndrim të ndryshëm në lidhje me këtë çështje, sepse mendojmë se qeveri e tillë të cilën e udhëheq LSDM-ja, jo vetëm se nuk është ardhmëria por është kthim në të kaluarën, në dështimet”, tha Mickoski./TV21