Në autobus ka pasur fuçi me karburant? Vozitësi ka vozitur në bankinë 50 metra pa frenuar (Video)
Të gjithë viktimat në aksidentin e tmerrshëm kanë qenë në derën e mesme të autobusit, duke tentuar të shpëtojnë. Asnjë udhëtar nuk ishte në ulësen e tij, raporton për TV21 gazetarja Patricija Kirova nga Bullgaria. Ajo foli edhe për arsyet jozyrtare të cilat sipas autoriteteve dhe mediave e atjeshme e kanë shkaktuar fatkeqësinë. Zjarri ka shpërthyer në pjesën e përparme, ku sipas policisë bullgare, pranë gomave rezervë ka pasur edhe fuçi me naftë.“Rruga ishte krejt me naftë. Autobusi është lëvizur me 100km në orë dhe nuk kishte shenja frenimi. Aksidenti ka ndodhur si rezultat i gabimit njerëzor”, tha Vasko Pirgov – Sekretar për Siguri të Pernikut.
“Sipas informacioneve fillestare të mediave bullgare, në autobus ka pasur karburant i cili është blerë në Turqi ku është më i lirë se në Maqedoni dhe Bullgari. Zjarri ka shpërthyer nga ky karburant dhe kjo është një nga arsyet e fatkeqësisë. Qarkullojnë informacione se autobusi kur ka dalë nga gardhi mbrojtës, ka vozitur 50 metra pa ndalur. Nuk ka shenja frenimi, që do të thotë se ka humbur kontroll mbi automjetin. Kur ka hyrë në bankinë ka rënë zjarr, kurse zhurma në autobus e ka shkaktuar djegien e 45 personave që ishin grumbulluar në një nga dyert e autobusit”, tha për TV21 gazetarja, Patricija Kirova.
7 personat që kanë arritur të mbijetojnë, kanë arritur të shpëtojnë duke i thyer dritaret e autobusit.
Ata janë në gjendje stabile dhe në vend do të kthehen pas dy ditësh. Njëri prej tyre ka frakturë, thotë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Vozitësi ka ndërruar jetë në vendngjarje.“Ka informacione se nuk ka pasur edhe një shofer në autobus, që duhej të kishte që të realizohet udhëtimi nga Stambolli deri në Maqedoni. Në qoftë se njëri lodhet, atëherë tjetri duhet ta zëvendësojë”, shtoi gazetarja Patricija Kirova.
Kryeministri Zaev thotë se lë në duart e autoriteteve bullgare që t’i hetojnë arsyet e aksidentit.“Unë do të lë që ekspertët bullgarë analizat e fatkeqësisë t’i bëjnë në mënyrë profesionale”, deklaroi kryeministri Zaev.
Edhe pse mediat raportonin se vendi në të cilin ndodhi tragjedia është “pikë e zezë”, megjithatë gazetarja Patricija e mohon këtë, duke thënë se bëhet fjalë për një autostradë të re bashkëkohore. Autobusi nga Turqia ka hyrë në Bullgari në orën 21, kurse aksidenti ndodhi rreth orës 2 të mesnatës në autostradën “Struma” në relacion Sofje-Bllagoevgrad.