RajoniTop Lajme

Në ditën e Flamurit, vihet gurthemeli për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama inaguroi sot fillimin e punimeve për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ndërtimi i të cilit do të zgjasë deri në 2024.

Një vit më pas, pritet të nisin fluturimet e para dhe menaxhimi do t’i besohet aeoportit të Mynihut në Gjermani.

“Vlora ka historinë e saj sa i përket transportit ajror. Këtu është krijuar shkolla e parë e aviacionit dhe këtu ku ndodhemi është ndërtuar dhe aerodromi që në vitin 1920, i cili përdorej për arsye ushtarake. Mbi këtë gjurmë të aerodromit të vjetër, ne sot fillojmë një histori të re, së bashku me një mik të mirë, një ndër më të shquarit e sipërmarrjes shqiptare, një personalitet që me veprat e tij e ka çuar mërin në shumë vende të botës dhe çmohet prej shumë popujve e prej shumë njerëzve për veprat që ka bërë. Një njeri që kam nderin ka konsideroj dhe mikun tim, bacën Bexhet, që e falënderoj shumë për përfshirjen në këtë aventurë të përbashkët sepse për hir të së vërtetës në të gjitha punët që kemi bërë, kjo për të ardhur në këtë punë, qëlloi më e vështira. Nuk ishte aspak e thënë që ky proces të shkonte fjollë siç do ta kishim dëshiruar, u nis dhe u pengua disa herë për arsye objektive që nuk kishin lidhje me ne, sepse veprat publike i kanë dhe këto të papritura dhe për dreq na u fut në mes dhe pandemia, e cila më shumë se çdo sektor tjetër, goditi sektorin e aviacionit. Ne nuk reshtëm së bëri përpjekjet deri sa gjërat erdhën aty ku duhet dhe u bë e mundur forca e duhur për ta çuar përpara këtë projekt të madh. Gjithë ajo vonesë, gjithë ai stres për të cilin vlonjatët kontribuuan me gjithë ato përqeshjet e tyre karakteristike dhe romuzet e tyre tradicionale u kthye në mirësi sepse sot jemi këtu dhe me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Përfaqësuesit janë këtu me ne, kanë nisur ta shoqërojnë projektin e zbatimit që në hapat e parë dhe të gatshëm për të marrë operimin e aeroportit të Vlorës.”