Në takim me Lajçakun, Osmani: Epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak me të cilin diskutuan zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në rajon.
Presidentja Osmani theksoi se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin. Ajo konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog. Në veçanti, ajo theksoi nevojën për përçim të qartë të mesazhit se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimit presidentja Osmani theksoi po ashtu urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon, duke potencuar se zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perendimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike.
Nga ana tjetër, Lajçak ka vënë theks tek nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në.
Lajmi: Presidentja Osmani priti në takim të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak