Maqedoni

Osmani: Institucionet bullgare vepruan në mënyrë profesionale

Shpërndaje

Institucionet bullgare vepruan në mënyrë profesionale dhe u siguruan qetësi familjeve të viktimave, sepse kishte shumë spekulime, të cilat i rëndonin edhe më shumë emocionalisht, komentoi për NOVA TV bullgar ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani. Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Sofja, Osmani komenton se kjo është edhe një shenjë se jemi miq të afërt në të mirë dhe në të keqe dhe duhet të ndihmojmë.

Osmani hodhi poshtë teoritë se tragjedia në autostradën Struma ishte inskenuar për ta detyruar Bullgarinë t’i thotë “po” Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së.

Duke i komentuar dallimet në marrëdhëniet bilaterale dhe perspektivën evropiane, Osmani theksoi se Shkupi asnjëherë nuk e ka ndërprerë komunikimin me Sofjen.

“Pavarësisht faktit se ishte e vështirë, duke e pasur parasysh se në një periudhë prej një viti ka pasur tre herë zgjedhje, nuk është formuar asnjë qeveri dhe ka pasur një qeveri të përkohshme, ne kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me qeverinë tranzitore të Bullgarisë. Në periudhën e fundit kemi pasur tre takime të drejtpërdrejta ndërmjet ekspertëve. Kemi shkëmbyer shënime, dokumente, pikëpamje, opinione dhe do të vazhdojmë të bëjmë edhe në të ardhmen. Shpresoj që së shpejti të formohet një kabinet i rregullt dhe institucione që t’i japim fund kësaj mosmarrëveshjeje, e cila mban peng jo vetëm perspektivën tonë evropiane, por edhe të gjithë rajonin, dhe miqësia mes dy vendeve tona është peng”, tha ministri. Osmani.

Mendoj, tha Osmani, se është në interes të Bullgarisë dhe në interesin e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë Bashkimit Evropian që sa më shpejt të përfundojë kjo çështje, e cila, siç thotë, “pa nevojë i helmon marrëdhëniet tona bilaterale”.

Mesazhet e para të cilat vijnë nga partitë bullgare, të cilat mund të bëjnë koalicion, ngjallin optimizëm, potencoi Osmani, duke shtuar se në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë fokusi nuk duhet të jetë tek e kaluara, por tek e tashmja dhe e ardhmja.

“E plotë është kur ka gjithçka. Nuk e nënvlerësoj rëndësinë e historisë dhe të së kaluarës, duhet të bisedojmë për këto çështje. Por ne duhet të përqendrohemi në të tashmen. Ne shkruajmë historinë çdo ditë. Ne jemi seriozë dhe konstruktivë. Ne besojmë në miqësinë e dy vendeve tona. Ne besojmë në një të ardhme të përbashkët për Evropën. Ne jemi aleatë të NATO-s dhe na duhet vetëm një qasje më racionale nga të dyja palët, si dhe mirëkuptimi i tjetrës”, tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut.

Ajo që ndodhi, tha Osmani, në dy ditët e fundit tregon se “ne jemi fqinjët më të afërt, miqtë e ngushtë dhe mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin në të mirë dhe në të keq”, tha Bujar Osmani.