VMRO-DPMNE reagon ashpër ndaj Zaevit: Jo vetëm humbës, por edhe mashtrues
VMRO-DPMNE, ka reaguar ashpër sot në lidhje me deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev, i cili tha se do ta shtyejë dorëheqjen deri në stabilizim të vendit, shkruan Alsat.
Në reagimin e VMRO-DPMNE, thuhet se Zoran Zaev është burimi i krizave dhe problemeve në Maqedoni, derisa theksohet se largimi i tij është i domosdoshëm për të mirën e vendit.
“E pamë që fjala e tij nuk ia vlente, është jo vetëm humbës por edhe mashtrues klasik. Përpjekjet e fundit për presion dhe oferta të pahijshme ndaj deputetëve që nënshkruan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë janë vetëm një kashtë për të shpëtuar Zaevin dhe ekipin rreth tij. Këto janë lëvizje të dëshpëruara. Qytetarët i thanë qartë në zgjedhjet e fundit se janë për ndryshim dhe abuzime të tilla nuk do t’i ndihmojnë, por vetëm do të rrisin pakënaqësitë e popullit”, thuhet në reagim.
“Zaev nuk mund ta mbajë peng Maqedoninë për shkak të ulëses dhe karrierës së tij politike. Ata tashmë kanë përfunduar. Popullit e ka të qartë si drita e diellit se me Zaev dhe LSDM në pushtet do të vazhdojnë të zhyten në krizë, ekonomike, shëndetësore, energjetike. Motivi i atyre që kanë nënshkruar nismën është përmbushja e vullnetit të qytetarëve. Iku koha e gënjeshtrës, e frikësimit dhe e presionit të mashtruesit Zaev. Po vjen koha që qeveria e re të merret me problemet dhe të sjellë një të ardhme të re dhe më të mirë për Maqedoninë”, përfundon reagimi i VMRO-DPMNE./ Alsat.mk