BotaTop Lajme

Zvicër, referendum për të hequr certifikatën e Covid

Shpërndaje

Me vetëm 60% të popullsisë së vaksinuar, Zvicra është një nga shtetet me nivelin më të ulët në Europë. Rastet po rriten ndjeshëm në javët e fundit, me 50-60% çdo javë. Por në vend që të vendosë izolim për të pavaksinuarit, apo kufizime të reja, si Gjermania dhe Austria fqinje, qeveria atje ka vendosur të pyesë qytetarët për atë që duan të bëjnë.

Siç është traditë tashmë në Zvicër, të dielën në vend do të zhvillohet një referendum ku do të votohet për të hequr disa nga kufizimet që janë momentalisht në fuqi.

Që prej nisjes së pandemisë, qeveria i ka qëndruar besnike sistemit të demokracisë së drejtpërdrejtë, ku qeveria ka pak fuqi formale dhe janë njerëzit që thonë fjalën e fundit.

Masat kufizuese në Zvicër nuk qenë kurrë aq strikte sa në vendet fqinje. Njerëzit u lejuan të dilnin sa herë që donin ndërsa shkollat u mbyllën për vetëm disa javë. Por verën e kaluar, kur rastet po uleshin ndjeshëm, Zvicra nuk iu kthye lirisë së plotë, siç bënë vende të tjera.

Në vend u fut në përdorim certifikata e Covid-19, ku vërtetohej vaksinimi, testi negativ, apo imuniteti natyral i fituar pas shërimit nga koronavirusi. Në shtator ajo u bë e detyrueshme për t’u futur në bare, restorante, kinema, muze, aktivitete sportive dhe universitete. Krejt papritur, edhe një birrë në lokal nisi të bëhej e shtrenjtë, pasi testi i Covid u bë me pagesë.

Qeveria shpresoi që me këto masa të çonte njerëzit drejt vaksinimit, por nuk i kishte bërë llogaritë mirë. Vaksina është çështje tepër e ndjeshme në Zvicër, sidomos në komunitetin gjermanishtfolës dhe në zonat alpine, ku njerëzit nuk duan të marrin urdhra nga autoritetet. Shumë prej tyre dolën në protesta dhe mblodhën firmat që çuan edhe në referendumin e të dielës, ku sfidohet certifikata e Covid.

Nuk kanë munguar edhe protestat e dhunshme, si dhe fjalimet e të ashtuquajturve “no-vaxx”, si nipi i ish-presidentit amerikan Kennedy, Robert Kennedy Jr., i cili e ka quajtur Zvicrën shpresën e fundit të madhe kundër atyre që i quan fuqi të mbrapshta që duan të detyrojnë njerëzit të vaksinohen. Kështu që të dielën, zyrtarët do të numërojnë votat ndërsa në javët pasardhëse, do të numërohen rastet me koronavirus./A2CNN