Zviceranët sot në referendum deklarohen për vërtetimet për Covid
Votuesit zviceranë sot në referendum do të vendosin nëse do të anulojnë prezantimin e certifikatës së Covid-it që u nevojitet aktualisht për të vërtetuar vaksinimin, shërimin e covid-19 ose test negativ.
Kundërshtarët e vërtetimit për Covid me peticion i detyruan autoritetet që të shkojnë në votime. Ata kundërshtojnë dokumentin për hyrjen në ngjarje ose në restorante, duke thënë se do të përçajë shtetin dhe në mënyrë indirekte do t’i detyrojë njerëzit të vaksinohen.
Megjithatë, në sondazhet e fundit është parë se rreth 60 për qind e të anketuarve janë kundër heqjes së Covid certifikatave.
Në referendumin e sotëm votohet edhe për iniciativën e personelit mjekësor, e cila me gjasë do të pranohet.
Ata kërkojnë paga më të larta, kushte më të mira pune dhe më shumë para për arsim dhe trajnim. Stafi mjekësor profesionist fiton mesatarisht mbi 4000 euro bruto në muaj.
Megjithatë, shpenzimet e jetesës në Zvicër janë të larta dhe nuk ka stimuj për punëdhënësit që të kontribuojnë në sigurimin shëndetësor të punonjësve. Qeveria dëshiron të investojë më shumë në trajnime, por kushtet e punës ua lë punëdhënësve.