RajoniTop Lajme

Komandanti i FSK-së, gjeneral major Bashkim Jashari, me dekret të Presidentes avancohet në gradën Gjenerallejtënant

Shpërndaje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, njëherësh komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një ceremoni të veçantë shtetërore, gradoi sot Komandantin e FSK-së, gjeneral major Bashkim Jasharin, në gradën Gjenerallejtënant.

Me këtë rast, Presidentja Osmani-Sadriu tha se tashmë gjeneral Jashari është graduar në gradën më të lartë dhe u shpreh e bindur se Forca e Sigurisë së Kosovës do të udhëhiqet nga ai me profesionalizëm dhe nder.

“Kjo gradë bartë një detyrim të madh dhe jam e bindur si Presidente e vendit së bashku me qeverinë që e ka bërë këtë rekomandim se me aftësinë tuaj do të udhëhiqni me nder, krenari dhe integritet një Forcë e cila është ndërtuar mbi një sakrificë të madhe të popullit tonë”, theksoi Presidentja Osmani-Sadriu në këtë ceremoni.

Në këtë ceremoni gjithashtu morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, si dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe stafi i lartë ushtarak i FSK-së.