RajoniTop Lajme

Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në 2022

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti, në adresimin e tij para mbledhjes së Qeverisë ka folur për politikën e jashtme. Ai ka thënë se kanë filluar departizimin dhe reformimin duke krijuar sistem të meritokracisë që hap rrugën për diplomat të karrierës. Në këtë drejtim ai tha se kanë emëruar ambasadorët e ri, ku nga 3/4 e shefave të misioneve të jenë diplomat të karrierës, ndërsa vetëm 1/4 sipas çelësit politik.

Në fushën e zbatimit të rekomandimeve të BE-së, Kurti ka thënë se kanë themeluar strukturat koordinuese ndërinstitucionale për procesin e integrimit evropian, derisa ka shtuar se vitin e ardhshëm Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Në përputhje me reformat e brendshme dhe në realizim të perspektivës për anëtarësim në BE ne bëmë të ditur se vitin që vjen Kosova do të bëjë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Në fushën e mbrojtjes, kryeministri ka thënë se kanë zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar, derisa ka përmendur që për vitin 2022 kanë ndarë 100 milionë euro buxhet për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kurti ka theksuar se në shtator ka filluar aplikimi i reciprocitetit në targa me Serbinë, i cili është ende në fuqi dhe ka thënë se në vazhdimësi do të identifikojnë fushat e tjera të reciprocitetit në përputhje me përgatitjet e brendshme për ta zbatuar atë me sukses.

Kurti ka përmendur edhe vendime të tjera që janë ndërmarrë nga qeveria në fushën e arsimit, kulturës, sportit dhe bujqësisë.