Kurti sqaron se pse pa vaksinë s’do t’iu lejohet hyrja në Kosovë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti iu është përgjigjur kërkesave të diasporës me tetë përgjigje për tetë pyetje në lidhje me masat e reja anti-COVID.
Kurti i është përgjigjur kërkesave të diasporës për sqarime se pse nuk do t’u lejohet hyrja në Kosovë pa e marrë të paktën një dozë të vaksinës.
“Sipas të dhënave paraprake, varianti më i fundit i virusit Corona, i quajtur “Omicron”, përhapet dukshëm më lehtë dhe më shpejt sesa varianti aktualisht mbizotërues, varianti Delta. Ky fakt e bën rezultatin negativ, në vetvete, më pak të vlefshëm e më pak të sigurt si dëshmi. P.sh., në dy avionë që janë nisur javën e kaluar nga Afrika e Jugut në Holandë, me gjithsej rreth 650 pasagjerë, pothuajse 10% të pasagjerëve rezultuan pozitivë në testimin pas mbërritjes, edhe pse testi negative ose vaksinimi i plotë ishte i obligueshëm para nisjes. Ndërsa, testi i shpejtë është dëshmuar të japë rezultate të gabuara negative (“false negative”) në një numër të konsiderueshëm të rasteve dhe, për këtë arsye, nuk do të konsiderohet më i pranueshëm si dëshmi”, ka shkruar ai në një posti në Facebook.
Ai tregon edhe arsyen se pse nuk mjafton më dëshmia që personi ka kaluar sëmundjen COVID-19 për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës?
“Edhe në këtë drejtim, masat duhej të shtrengoheshin për shkak të të dhënave paraprake të dala nga OBSh-ja, të cilat tregojnë se varianti Omicron ka më shumë rrezik të shkaktojë ri-infektimin e personave të infektuar më parë me ndonjë variant tjetër të virusit Corona. Për këtë arsye, edhe ata që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, në mënyrë që mbrojtja e tyre të jetë sa më e lartë, do të duhet të vaksinohen”, tha Kurti.