Sekuestrohen 100 kg kokainë në kamionin e mbushur me banane, vinte nga Ekuadori
Një sasi e madhe droge, rreth 100 kg dyshohet e llojit kokainë, është sekuestruar nga autoritetet shqiptare. Raportohet se sasia e drogës është sekuestruar ndërsa bananet shkarkoheshin në një magazinë.
Dyshohet se droga ka hyrë nga porti detar i Durrësit, vend ku kamioni ka qëndruar për rreth tre ditë, dhe vinte nga Ekuadori me një ngarkesë bananesh.
Konteineri me banane i dyshuar për ngarkesë të paligjshme është mbajtur nën vëzhgim nga policia dhe në momentin kur është tërhequr për t’u dërguar në destinacion ka ndërhyrë policia.
Mësohet se si rezultat i operacionit të monitoruar nga policia në bashkëpunim edhe me agjentë të SPAK janë ndaluar dy persona të dy me origjinë ekuadriane.
Njoftimi nga Policia e Durrësit:
Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritet doganore të Portit janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada”, ditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në një nga kontenierët i ngarkuar me banane i ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm në pjesën fundore te kapakët e motorrëve frigoriferike, u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.
Në nisje të operacionit, nga taskforca permanente që vepron në hyrje dhe në dalje të Portit të Durrësit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës shtetasi E. D.