MaqedoniRajoniTop Lajme

Shkurt 2022 – Takimi i radhës i “Ballkani i Hapur” në Shkup

Shpërndaje

Në konferencën e përbashkët për shtyp në përfundim të takimit të shtatë të nismës “Ballkani i Hapur”, kryeministri Edi Rama, i cili foli i pari për marrëveshjet e arritura, bëri të ditur se takimi i radhës do të mbahet në shkurt të vitit të ardhshëm në Maqedoninë e Veriut.

“Sot hapëm një epokë të re në Ballkan. Me marrëveshjet e nënshkruara nga janari i vitit 2022, qytetarët e tre vendeve tona, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të mund të kalojnë lirisht kufirin. Gjithashtu janë hapur edhe mundësitë për qarkullim të lirë të mallrave dhe kapitalit, pa pasur nevojë të sigurohen tre herë dokumente lidhur me importet dhe eksportet. Marrëveshjet parashikojnë import-eksport si të produkteve bujqësore ashtu dhe gjedheve në bazë të reciprocitetit. Gjithçka në thelb të nismës është në interes të qytetarëve tanë”, tha Rama.

Ai e theksoi veçanërisht mbështetjen që eurokomisari Varhei ia dha sot nismës.

“Sot morëm një mesazh të qartë nga BE-ja se e mbështet “Ballkanin e Hapur”. Kemi mbështetje edhe nga SHBA-ja. Vazhdojmë, sepse është shumë e qartë se cili është qëllimi, për ta bërë rajonin tonë një vend të lirë të lëvizjes, tregtisë së mallrave dhe kapitalit”, tha Rama.

Sipas tij, me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, është dhënë një përgjigje e qartë për të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë iniciativë dhe i ka bërë thirrje Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës që t’i bashkohen sërish “Ballkanit të Hapur”.