Ali Ahmeti bashkë me ministrat takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i parë z. Artan Grubi dhe ministrat Besimi, Osmani, Shaqiri, Bekteshi, Nuredini kanë qëndruar për vizitë në Prishtinë ku janë pritur vëllezërisht nga kryeministri i Kosovës, z.Albin Kurti i cili ishte i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Arbërie Nagavci, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe shefi i Stafit, Luan Dalipi.
Njoftimi nga Grubi:
Gjatë këtij takimi, Ahmeti dhe Kurti kanë diskutuar mbi situatën me Pandeminë në të dy vendet, gjendja nëpër institucionet shëndetësore si dhe lehtësimi dhe largimi i masave si brenda vendeve ashtu edhe për lëvizje nëpër kufij.
Të udhëhequr nga kryetari Ali Ahmeti bashkë me kolegët ministra dhe drejtorin e ndërmarrjes së rrugëve shtetërore të vendit tonë qëndruam sot për vizitë zyrtare në Prishtinë, ku dhe realizuam takim me kryeministrin Albin Kurti dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar.
Para sfidave të përbashkëta të krizës energjetike, situatës shëndetësore dhe për realizimin e projekteve të ndërlidhjes sonë infrastrukturore si Rruga Tetovë – Prizren, Autostrada Prishtinë – Bllacë – Shkup, Lidhja Brezovicë – Kodra e Diellit dhe kalimit të përbashkët kufitar duhet të qëndrojmë në vazhdimësi institucionalisht të koordinuar.
Drejt synimit të përbashkët për integrim në Bashkimin Europian shprehëm edhe përkrahjen tonë për tejkalimin sa më të shpejtë të kontestit të Kosovës me Serbinë me epilog njohjen e ndërsjelltë. E ardhmja jonë e përbashkët është Europa!
Njoftimi nga Ali Ahmeti:
Është jetike për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut të vazhdojnë rrugën e zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Europian duke përkrahur njëra tjetrën, prandaj sot në Prishtinë u ulëm në tavolinën e përbashkët të punës me kryeministrin Albin Kurti dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar.
Me veprim institucionalisht të koordinuar do të arrijmë që për kohë të shpejtë të realizojmë projektet madhore të ndërlidhjes më efikase kombëtare mes nesh, si rrugën Tetovë – Prizren, autostradën Prishtinë – Bllacë – Shkup, kalimin e përbashkët kufitar, si dhe të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik dhe atë turistik mes Kodrës së Diellit dhe Brezovicës.
Vazhdojmë të qëndrojmë në përkrahje të Kosovës në drejtim të gjetjes së zgjidhjes me Serbinë përmes njohjes së ndërsjelltë si proces i rëndësishëm për stabilitetin dhe perspektivën e zhvillimit të mbarë rajonit.