Banorët e Laçit për banesat e ndërtuara nga Turqia: Është krijuar një lagje e mrekullueshme
Në prag të vizitës në Shqipëri të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, banorët e qytetit të Laçit që u prekën nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe të cilët kanë marrë banesat e ndërtuara me financimin e Turqisë, janë të entuziazmuar për këtë projekt dhe shprehin falënderimet e tyre për shtetin turk.
Banorët e lagjes së re për Anadolu Agency (AA) tregojnë emocionet e tyre, si dhe shprehin falënderimet për qeverinë turke dhe presidentin Erdoğan, që mundësuan banesat e reja, duke e konsideruar lagjen e re si një lagje të mrekullueshme dhe të veçantë.
Meçan Marra, 67-vjeç, është një nga banorët e Laçit që ka përfituar banesën e re, i cili shprehet se lagjja ku ai do të jetojë është një lagje e veçantë për familjen e tij dhe për të gjithë banorët.
“Ky është një moment historik për Laçin dhe jemi shumë të kënaqur. Edhe ata që nuk kanë për të marrë shtëpi këtu janë të kënaqur me fjalët e Erdoğan-it. Ky ambient është bërë një lagje që mund të mos e ketë edhe Tirana. Më mirë nuk ka ku të shkojë. I kemi parë, jemi futur brenda, gjë e mrekullueshme, jashtëzakonisht një punë e mrekullueshme. E mbajti fjalën edhe kryeministri ynë me Erdoğan-in”, tha ai.
Një tjetër banor i Laçit që ka përfituar banesë të re është edhe 57-vjeçari Nikoll Çupi, i cili thekson se janë shumë të kënaqur me kontributin e qeverisë turke.
“Me këtë kontribut të qeverisë turke, bashkë me Erdoğan-in që mbajti të gjithë fjalët e dhëna, jemi shumë të kënaqur. Kush ka hyrë dhe parë brenda shtëpinë është tepër i kënaqur. Unë familjarisht jam tepër i kënaqur. Këto janë shumë të mira. Lagjja për momentin është një gjë e jashtëzakonshme. Ne këtë ia dimë për nder vetëm Erdoğan-it dhe kryeministrit tonë. Me mrekullinë që është bërë këtu në qytetin tonë për në Shqipëri nuk ka lagje më të bukur”, tha Çupi.
Mark Thanaj, 75-vjeç, që do të hyjë së shpejti në banesën e re, tha se lagjja e re është një lagje fantastike. “Ne si familje ndihemi shumë të gëzuar. Unë falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar. Falënderoj Erdoğan-in për zemërmirësinë për shtetin shqiptar dhe për ne”, tha ai.
Projekti i financuar nga Turqia i cili përfshin 522 apartamente, por edhe njësi tregtare dhe qindra vende parkimi, u zhvilluan nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit, ndërsa punimet në Njësinë Administrative Laç në Bashkinë e Kurbinit u realizuan nga kompania Albayrak. Banesat janë dorëzuar me dokumentacionin e nevojshëm dhe familjet do të akomodohen në ditët në vijim.