Bashën e Berishën i quan kufoma politike, Rama fton demokratët t’i bashkohen për Shqipërinë
Kryeministri i Shqipërisë dhe kreu i socialistëve, Edi Rama ka treguar se cka i vije t’u thotë demokratëve kur sheh siç i ka quajtur ai Lulzim Bashën e Sali Berishën dy kufoma politike që fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori i tij.
Rama u bëri ftesë demokratëve të bashkohen me të.
“Epo pikë e zezë, ai punon për Ramën thotë njëri ai bën punën e Ramës thotë tjetri… Besomëni, kur i shoh këto dy kufoma politike që luajnë kështjellash në mes të Tiranës dhe fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori im, më vjen t’u lëshoj demokratëve një kushtrim të megjithëzemërt: Ejani t’i japim ç’mundemi Shqipërisë, të bashkuar si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz! Lërini në fatet e parashkruara humbësin kronik të selisë blu dhe personazhin pa seli të listës së zezë, të cilët kur i sheh se çfarë marrëzish bëjnë e thonë të kujtojnë, që të dy, fjalët e Xhokerit, “Skam asgjë për të humbur. Asgjë s’më dhemb dot më. Tashmë jeta ime është thjesht një komedi”… Varuni more teneqet që të dyve këtyre”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ndryshe, sot në Tiranë të Shqipërisë është mbajtur protesta e mbështetësve të ish-kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Protesta e 8 janarit u thirr nga ish-kreu i PD-së, Berisha për të marrë kontrollin e selisë së partisë.