RajoniTop Lajme

DASH reagon për shpalljen e Berishës “non grata”

Shpërndaje

Deklarata e ish-kryeministrit Berisha bërë në emisionin Opinion te enjten e shkuar ka nxitur reagimin e Dash. I pyetur nga Tvsh mbi mundësitë e anulimit të vendimit për shpalljen e Sali Berishës Non Grata, një zëdhënës i Dash si përgjigje nuk ka lënë asnjë hapsirë për të dyshuar se kjo mund të ndodhë.

Ai ka sqaruar se vendimet merren vetëm nga Departamenti i Shtetit dhe ato nuk kanë kufizime në kohë, e si të tilla nuk ndryshojnë dhe kur administratat ndryshojnë.

Z. Berisha u përcaktua sipas nenit 7031(c) të Ligjit vjetor për Buxhetin për shkak të përfshirjes se tij në korrupsion të konsiderueshëm në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë. Përcaktime të tilla nuk janë të kufizuara në kohë. Në përgjithësi, kur një individ përcaktohet sipas seksionit 7031(c), ai individ nuk do të jetë i përshtatshëm për të përfituar një vizë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara“

Por çfarë është neni 7031(c) i Ligjit vjetor të Buxhetit? Në këtë nen përcakton ndëshkimet që lidhen me Antikleptokracinë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut dhe theksohet papranueshmëria e zyrtarëve të qeverive të huaja dhe familjarëve të tyre të ngushtë, për të cilët Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme, të drejtpërdrejta ose indirekte se ata janë përfshirë në korrupsion domethënës, ose kanë kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Për këto arsye këta persona përcaktohen të mos hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe nëse këta nuk kanë aplikuar për vizë më parë. I vetmi përjashtim që parashikohet në nenin 7031(c) të Ligjit për Buxhetin dhe që lejon hyrjen e këtyre personave në territorin e SHBA eshte ne rastet kur ata janë të kërkuar nga drejtësia amerikane, ose kur qeveria e SHBA është e detyruar të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare, siç është rasti i detyrimit qe ajo ka me kombet e Bashkuara kur këta zyrtarë duhet të udhëtojnë në Asamblenë vjetore të OKB-së.

Zëdhënësi i Dash që ka zgjedhur të mos identifikohet, ka sqaruar po ashtu ku ndryshon vendimi i bazuar mbi nenin 7031 nga përcaktime të tjera ligjore që bazohet Departamenti i Thesarit.

“Z. Berisha nuk ishte përcaktuar nën autoritetin e sanksioneve financiare. Sanksionet e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja të Departamentit Amerikan të Thesarit (OFAC) mbështeten në autoritete të ndryshme. Për një përgjigje lidhur me to, mund të drejtoheni tek OFAC për informacion rreth vendimeve të tyre” tha zëdhënësi.

Sali Berisha u shpall Non Grata në Maj të 2021 dhe që atëherë ai ka nisur një betejë ligjore ndërkombëtare për të provuar se vendimi i Dash për të është i padrejtë./Tv Klan