Kurti: Falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për miratimin e rezolutës së përbashkët
Falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për miratimin e rezolutës së përbashkët.
Me 76 vota PËR dhe një abstenim, u përmbyll seanca e jashtëzakonshme të cilën e kërkova lidhur me synimin për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës.
Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është qëndrim parimor, në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Ne nuk do t’i shkelim parimet tona.
Praktikat e dëmshme ndryshohen, e ligji do të respektohet. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ashtu duhet edhe të trajtohet.
Vegëza me rezolutën e miratuar https://www.kuvendikosoves.org/…/2022_01_15_(15_01_2022… dhe fjala ime hyrëse nga seanca e jashtëzakonshme e mbajtur sot:
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Të nderuara zëvendëskryeministre,
Të nderuar ministra,
Te nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj sot këtu, në këtë seancë të jashtëzakonshme të cilën e kemi thirrur për një temë të rëndësisë së veçantë. Për të diskutuar dhe më pas për të votuar Rezolutën e Kuvendit tonë ndaj synimit të Serbisë për ta mbajtjur një referendum të saj edhe në Kosovë.
Po e filloj këtë fjalë timen duke përmend disa nocione që të gjithë që jemi të pranishëm këtu i dijmë, dhe për të cilat mbase edhe krenohemi shpesh.
Sovraniteti, barazia, pavarësia, demokracia.
Nëse thuhen e rrijnë kështu të ndara e vetëm, vazhdojnë të jenë fushëbeteja të interpretimit. Por, të integruara në frymën e dokumentit më të vlefshëm të shtetit – Kushtetutës së Republikës – marrin kuptim të plotë. Dhe kanë vlerë të saktë.
Kushtetuta jonë shprehimisht përcakton që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë të barabartë para ligjit. Krahas kësaj, në Kushtetutën tonë përcaktohet qartë dhe saktë përkufizimi i shtetit tonë si sovran, i pavarur dhe demokratik.
Një shtet, i cili në frymën e Kushtetutës është shoqëri multietnike e cila qeveriset në mënyrë demokratike. Shtet që respekton parimet e barazisë para ligjit dhe garanton të drejtat dhe liritë e njeriut.
Në Republikën e Kosovës të drejtat dhe liritë themelore vlejnë për të gjithë qytetarët e Republikës. Vlejnë njësoj edhe kur vjen fjala për të drejtën e votës.
Me këtë logjikë, votimi për referendumin që do të mbahet nga Serbia, i garanton komunitetit jo shumicë serb në bazë të Kushtetutës dhe ligjit në fuqi në Republikën e Kosovës. Por, ushtrimi i kësaj të drejte duhet të bëhet nën ombrellën e këtyre normave juridike tona.
Duke respektuar në mënyrë analogjike rregullat për votim jashtë vendit që vlejnë për qytetarët e Republikës së Kosovës, e të parapara me Ligjin për Zgjedhjet dhe Rregullën Zgjedhore.
Kjo nuk është diçka e paprecedentë. Përkundrazi. Edhe praktika evropiane e thotë të njëjtën, që shtetet anëtare duhet të mundësojnë qytetarëve të tyre të marrin pjesë në proceset zgjedhore.
Edhe ne këtu e dimë që shumë qytetarë tanë të cilët kanë dyshtetësi nuk është e thënë që votojnë vetëm në njërin shtet. E shfrytëzojnë të drejtën për të votuar edhe në shtetin tjetër kur kanë më shumë se një nënshtetësi. Por, gjithmonë duke respektuar rregullat e vëna për këtë proces nga shteti përkatës ku kryhet votimi.
Raporti i Komisionit të Venedikut përmend mënyrën më të shpeshtë të mbajtjes së regjistrave të qytetarëve që jetojnë në territorin e një vendi të caktuar, përmes zyrave konsullore apo ambasadave jashtë shtetit përkatës në territorin e vendit të huaj, praktikë kjo e shumicës së shteteve.
Në situatën konkrete, dua ta bëj të qartë që askush askujt s’po i cenon të drejtën e votës. Thjeshtë nisur nga fakti që detyrën e Ambasadës së Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës e ushtron Zyra Ndërlidhëse në Prishtinë, votimi për referendum, mund të bëhet në këtë zyre, në pajtim me ligjin e Kushtetutën tonë.
Tash, natyrisht që duhet adresuar elefantin në dhomë. Të gjithë e dimë që mbledhjen e kutive të votimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e mbajtura në Republikën e Serbisë e ka bërë OSBE-ja në vitet 2012, 2014, 2016 dhe 2017. OSBE-ja këtë e ka bërë natyrisht pas marrjes së pëlqimit nga autoritetet vendore. Mirëpo, organizimin e zgjedhjeve siç e dimë e kanë bërë strukturat ilegale të Serbisë të cilat janë financuar e janë dirigjuar nga Beogradi.
Serbët e Kosovës në këto vite, nuk kanë votuar si votues jashtë vendit, por si votues brenda vendit. Problemi natyrisht nis tek Kushtetuta e Serbisë që Kosovën e trajton si njësi brenda Serbisë. Një kushtetutë e cila daton nga koha e para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përkatësisht nga viti 2006.
Megjithatë, një praktikë e gabuar e vendosur nëpër vite, nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjte. Pëlqimi i autoriteteve nuk është mbi ligjin, e aq më pak mbi Kushtetutën. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe duhet të trajtohet si e tillë.
Organizimi i votimit jashtë Zyrës Ndërlidhëse, është kundër kufijve të ligjit dhe parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Për të siguruar aplikim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e të legjislacionit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit, votimi në këtë referendum mund të bëhet në Zyrën Ndërlidhëse ose edhe përmes postës.
Për ta bërë të qartë që një qëndrim i tillë nuk është vetëm i Qeverisë por i komplet spektrit politik dhe qytetarëve në Kosovë, që në këtë rast përfaqësohen nga Kuvendi, unë ju ftoj që ta votoni një rezolutë, tekstin e së cilës do ta lexoj pas pak.
Kosova me të vërtetë është shtet i ri dhe jo i madh, megjithëkëtë kjo nuk do të thotë që ne duhet të shkelim mbi ligjet dhe parimet që vet i kemi vendosur për të mirën e vendit tonë, dhe në linjë me praktikat më të mira europiane.
Nëse dikush nuk na njeh, kjo s’duhet të na lëkund neve për njohjen e vazhdueshme që duhet t’ia bëjmë vetvetes. Qëndrimet dhe vendimet tona burojnë dhe kufizohen nga Kushtetuta dhe nga ligji ynë.
Ju falemnderit.