Në 6 fshatra të Kërçovës jetojnë rreth 10 banorë, të rinjtë që kanë ikur nuk kthehen më (Video)
Kjo është rruga e cila të çon në fshatin Rabetin të Kërçovës. Fshati është 20 km larg qytetit të Kërçovës. Rruga është me gropa por e kalueshme, ndërsa shitoren më të afërt e kanë 10 km larg.
Në këtë fshat me mbi 16 shtëpi vetëm dy oxhaqe po nxjerrin tym në këto ditë dimri, sepse aty jetojnë vetëm tre banorë të moshuar. Aco Bozhinoski me bashkëshorten dhe një tjetër grua e moshuar. Dikur ky fshat ka pasur mbi 100 banorë rrëfen Bozhinoski.
“Këtu ka 16 shtëpi, kaq është fshati, ndërsa kemi mbetur vetëm 3 persona, të tjerët kanë emigruar nga këtu, gjatë verës ka më shumë lëvizje vijnë për vikend, ndërsa gjatë dimrit jetojmë vetëm ne të tre”, rrëfen Bozhinoski.
Gjendja e njëjtë është edhe në fshatrat tjerë të ish Komunës së Vraneshticës, e që sot i takojnë komunës së Kërçovës. Sipas Bozhnoskit ka fshatra ku jeton vetëm një banorë. Sipas tij në tërësi në 6 fshatra jetojnë rreth 10 banorë.
“Edhe në fshatrat tjerë nuk ka, ja në fshatin Dupjan është afër këtu jeton vetëm një person, në fshatin Krushicë jeton vetëm një, në fshatin Svetoraq ka vetëm dy, në Koziçinë ka vetëm dy, në Patec vetëm dy, kaq janë të gjithë në 6 apo 7 fshatra nuk ka as 10 persona”, tregon më tej Bozhinoski.
Ai thotë se rrugën e kanë të prishur, nuk kanë ujësjellës, ata pinë ujë nga lumi i cili kalon rreth fshatit.
“Rruga është katastrofë, nuk kemi rrugë, nuk kemi ujësjellës, pimë ujë nga lumi dhe nga bunari këtu”, tregon Bozhinoski.
Bozhinoski thotë se ai do të jetojë këtu deri në fund të jetës së tij, por nuk ka shpresa se të rinjtë do të kthehen për të jetuar në fshat.
“Vështirë se do të kthehen, nuk ka kushte është vend malorë nuk kanë nga çka të jetojnë të gjithë kërkojnë kushte më të mira këtu nuk ka as punësime, nga këtu njerëzit çdo herë kanë shkuar për të fituar diku tjetër”, rrëfen më tej Bozhinoski.
Ai tha se kanë problem me prerësit ilegal të drunjëve të cilët vinë dhe ua presin drunjtë e malit. Rastin disa herë e kanë paraqitur tek organet kompetente por kanë hasur në vesh të shurdhët. Ndryshe ky është vetëm një nga fshatrat e Kërçovës i cili përballet me ikjen e të rinjve nga fshati në qytet ose në mërgim. Në shumë fshatra të Kërçovës kanë mbetur vetëm të moshuar.