RajoniTop Lajme

Pasi u ofendua rëndë nga protestuesit proserbë – Abazoviq flet për herë të parë

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq tha se nuk është zemëruar nga ofendimet e rënda të qytetarëve, por se do t’ua tregojë gjithmonë vendin, siç tha ai, atyre që nxisin urrejtje dhe ulen në kolltuqe.

Abazoviq gjatë mbrëmjes së kaluar është ballafaquar me qytetarët me të dal nga televizioni publik, rtcg, ku kishte folur rreth krizës qeveritare në shtetin malazez.

Disa prej protestuesve të mbështetur nga partitë proserbe e kanë ofenduar në baza të kombësisë, por që politikani shqiptar nuk ka rënë në provokimet e tyre.

“Të ecim në rrugën e pajtimit dhe të dalim nga matrica e së shkuarës. Nuk më vjen keq për fjalët e shëmtuara të qytetarëve dhe mbroj të drejtën e tyre për të protestuar dhe shprehur pakënaqësinë. Shumë padrejtësi janë grumbulluar ndër vite, ndaj është e logjikshme që të ketë një reagim të tillë. Unë gjithmonë do t’ua tregojë se ku e kanë vendin ata”, ka shkruar Abazoviq në Facebook.

Ai ka thënë se nëse kanë mundësi të formojnë qeveri, ajo do të jetë qeveri e pajtimit.

“Të gjithë janë të mirëpritur: malazezë, serbë, boshnjakë, shqiptarë, kroatë, ortodoksë, katolikë, myslimanë, … Përkatësia nuk është e rëndësishme, por një ide! Le të dalim nga matrica – të pajtohemi Malin e Zi dhe të shohim përpara! Sigurohuni që Mali i Zi mundet”, përfundoi 36-vjeçari.

Theksojmë se politikani shqiptar gjatë intervistës ka deklaruar se “Qeveria aktuale ka përfunduar misionin e saj dhe në periudhën e ardhshme do të duhet të zgjedhë mes dy koncepteve – qeveri e pakicës apo teknike, ose të shkurtojë mandatin e Kuvendit dhe të shkojë në zgjedhje parlamentare”.

Ndryshe, Kuvendi i Malit të Zi ka përcaktuar tre seanca parlamentare gjatë muajit të shkurt që përfshijnë shkarkimin e Abazoviqit, shkurtimin e mandatit të Parlamentit dhe votëbesimi i Qeverisë. /Telegrafi/