Presidentja Osmani: Vepra dhe puna e Presidentit Rugova do të vazhdojë të mbetet udhërrëfyes për ne
Presidentja Osmani ka thënë se sot është 16 vjetori i shkuarjes në amshim të arkitektit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, ideatorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentit tonë historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili bëri shumëçka për shtetin tonë sa që është shndërruar në fytyrën e këtij shteti, i cili sot në çdo damar të tij e ka edhe ndikimin që e pat Presidenti Rugova përgjatë jetës së tij.
“Natyrisht që ai punoi dhe veproi në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për gjithë popullin e Kosovës, në një kohë të okupimit, mirëpo përkundër kësaj arriti që ta bëj bashkë popullin e Kosovës rreth kauzës së shprehur në trinomin liri, pavarësi dhe demokraci, dhe në të njëjtën kohë arriti që për Kosovën të ndërtojë miqësi aq të mëdha të cilat u bën të domosdoshme për të bërë realitet këtë trinom, pra për të arritur lirinë, pavarësinë tonë dhe për të parë sot shtetin demokratik të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.
E para e vendit më tej ka thënë se ne sot e gëzojmë shtetin tonë, por i gëzojmë edhe këto miqësi të cilat me aq shumë mund e përkushtim i ndërtoi Presidenti Rugova, për shkak të punës së tij, dhe shumë burrave e grave të tjerë që punuan që ne sot ta kemi shtetin, dhe ta kemi lirinë.
“Kujtimi për të do të jetojë në zemrat dhe në mendjet e gjithë qytetarëve të Kosovës përjetësisht, ndërkaq vepra e tij dhe puna e tij do të vazhdojë të mbetet udhërrëfyes për ne, përderisa përpiqemi që në procesin e shtetndërtimit ta bëjmë Kosovën sa më të fortë dhe sa më të begatë”, ka pohuar Presidentja Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Presidenti Ibrahim Rugova është Presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur me votë popullore me 24 maj të vitit 1992, dhe mandej është sërish Presidenti i Parë i Kosovës së çliruar i zgjedhur në Kuvend të Kosovës, me 4 mars të vitit 2002.
“Dr. Ibrahim Rugova, edhe para se të ishte President ishte intelektual i angazhuar, njeri paqësor dhe i qetë, racional dhe humanist. Ai dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore, dhe gjithashtu në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Pra, sivjet kur ne e shënojmë 16 vjetorin e vdekjes së tij, në të njëjtën kohë ndodhemi në një vit kur do ta shënojmë edhe 20 vjetorin e tij si President në Kosovën e lirë, me 4 mars, dhe gjithashtu 30 vjetorin e tij si President i parë me 24 maj”, ka thënë kryeministri Kurti.