Ahmeti në Tiranë: Të faleminderit për të gjitha Edi
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot njoftoi se gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama kanë biseduar edhe për agresionin rus në Ukrainë. Ahmeti tha se dënojnë cenimin e integritetit territorial të Ukrainës.
Postimi nga Ahmeti:
Të faleminderit për të gjitha Edi.
Me sytë kah horizonti i perspektivës së integrimit në Bashkimin Europian dhe me synimin e thellimit të bashkëpunimit mes nesh, u takuam vëllazërisht sot në Tiranë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Në fokus të takimit tonë kishim koordinimin ndërinstitucional për projektet e ndërlidhjes më efikase infrastrukturore mes nesh, si: Korridori 8, lidhja hekurudhore përgjatë saj, Rruga e Arbërit, qasje më e lehtë përmes tyre në portin e Durrësit, vendkalimi i përbashkët kufitar, lidhja energjetike Manastir – Elbasan dhe shumë të tjera.
Diskutuam edhe për dialogun me Bulgarinë dhe pritshmëritë për zhbllokim të rrugëtimit tonë të përbashkët europian.
Si vende anëtare të NATO-së, shprehëm shqetësimin për eskalimin e situatës në Ukrainë duke dënuar cënimin e integritetit të saj territorial dhe duke bërë thirrje për paqe dhe dialog racional mes palëve.