Gjykata Kushtetuese më 7 shkurt seancë për Ilir Metën
Gjykata Kushtetuese nuk mundi të dalë dhe këtë të enjte me një vendim për kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit, raporton Klan. Pasi paraqitën argumentet e tyre, këshilltarë të Presidentit kërkuan kohë për t’ju përgjigjur afro 70 pyetjeve që anëtarët e Gjykatës dhe përfaqësuesit e Kuvendit bënë në adresë të tyre. Duke pranuar kërkesën, 7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën të rikthehen të hënën e 7 Shkurtit në seancë, ku pritet të ketë dhe një vendim.
Në parashtrimet e tyre të shkruara në plot 170 faqe, dy këshilltarët e Presidentit pretenduan që e gjithë procedura e ndjekur nga Kuvendi për shkarkimin e Ilir Metës ishte farsë dhe në shkelje ligjor kushtetuese.
Duke nisur që nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve ku nuk u respektua detyrimi për t’u dëgjuar Presidenti, e deri tek miratimi nga parlamenti i raportit të Komisionit Hetimor.
“Nuk ka pasur dhe nuk ka lëndë për të iniciuar shkarkimin e Presidentit sipas asaj që parashikon Kushtetuta. Presidenti ka kërkuar që prej datës 1 Korrik që ky proces të përfundonte brenda legjislaturës së Kuvendit të vjetër”.
Fakti që Komisioni Hetimor u ngrit dhe shtriu punën e tij në 4 muajt e fundit të legjislaturës parlamentare, sipas Dervishajt ishte një tjetër shkelje.
“Komisionet e vjetra nuk ishin në periudhë fundore, ky i fundit u ngrit pas zgjedhjeve që nuk lejohet”.
Presidenti në reagimin e tij pas seancës në Gjykatën Kushtetuese lajmëroi se do ju përgjigjet personalisht të gjitha pyetjeve në një dalje publike nga Presidenca.
Nëse Kushtetuesja do të vendosë pro kërkesës, procedura parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri do nisë në Prill, brenda afatit kushtetues që parashikon edhe një proces normal, pasi kreut të shtetit i përfundon mandati në Korrik.