Kalon rezoluta e AAK-së rreth Ligjit të Pagave, përkrahet edhe nga VV-ja
PDK dhe LDK kanë lëshuar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, si pakënaqësi me deputetët e Vetëvendosjes që nuk pranuan të flisnin lidhur me shtrenjtimin e rrymës, raporton Ekonomia Online.
Me të kaluar nëpër disa diskutime, Besnik Tahiri i AAK-së kërkoi që të votohet një rezolutë të propozuar nga kjo parti lidhur me Ligjin e Pagave.
“Si grup parlamentar kemi ngritur një nga cështjet më të rëndësishme që lidhen me legjislacionin, Ligjin e Pagave dhe rezolutën që kemi propozu. Kërkoj nga deputetët që të votojnë rezolutën”, ka thënë Tahiri.
Ndonëse shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila tha se do të abstenojnë në këtë rezolutë, pasi sipas saj “një rezolutë nuk rregullonte çështjen e Ligjit të Pagave”.
Por kur u hodh në votim kjo rezolutë nga kryeparlamentari Konjufca, aty u panë 68 vota pro kësaj rezolute.
“Rezolutën e cila është hedhur për votim në Kuvend nga GP i AAK-së. Me 68 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim konstatoj që Kuvendi miratoi rezolutën e AAK-së lidhur me veprimet e qeverisë sa i përket Ligjit të Pagave në sektorin publik”, lexoi rezultatet e votimit kryeparlamentari Konjufca.