Kryeparlamentari Konjufca thotë se Gashi duhet të kërkojë falje, përmend edhe masa ndaj tij
Konjufca thotë se Gashi duhet të kërkojë falje, përmend edhe masa ndaj tij.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se do të shikohet çfarë masash do të merren ndaj shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, për siç tha ai, sharjet dhe mësymjen fizike ndaj shefit të stafit të tij, Ilir Kërçelit.
Konjufca deklaroi se më e pakta që mund të bëjë Gashi në këtë rast është kërkimfalja.
“Do të shohim masat që do t’i marrim, edhe me masat disiplinore që i kemi në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me një kërkimfalje që mendoj se është më e pakta që duhet të ndodh në këtë rast”, ka deklaruar Konjurfca.
Konjufca tha se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit u ndërpre për shkak të sjelljes së papërshtatshme të deputetit Gashi.
“Mbledhja e sotme e Kryesisë me vendim timin nuk do të mbahet, për shkak të kërcënimeve të shefit të Gruipit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Arben Gashi, drejtuar stafit tim. Kjo gjuhë është e papranueshme për Kuvendin e Kosovës, shprehjet të cilat i përmendi z.Gashi në Mbledhjen e Kryesisë dhe duke e mësyrë edhe fizikisht shefin e stafit tim janë të papranueshme. Këto sjellje duhet t’i luftojmë dhe të mos i pranojmë në Kuvendin e Kosovës”, tha Konjufca.
Ndërkaq Gashi në një konferencë për media tha se “as nuk e kam prekur me dorë”, Ilir Kërçelin, shefin e kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
“Kryetari i Kuvendit e kishte marrë me vete edhe shefin e kabinetit i cili kishte bërë shkelje të detyrave… Ne kërkuam që ai të mos ishte prezent. Kryetari nuk pranoi që ai të largohet dhe mbledhja dështoi”, tha Gashi, duke theksuar se ka mbajtur distancë me shefin e kabinetit të Konjufcës.
Gashi tha se Kërçeli nuk duhej të merrte pjesë në mbledhjen e sotme të Kuvendit.
“Specifikat e këtij institucioni nuk lejojnë që shefi i kabinetit të bëhet palë në debatet e brendshme politike”, tha ai.