Kurti për rrymën: Kuleta e shtetit pagoi më shumë, sesa xhepi i qytetarit, kjo më dhemb më shumë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shtrenjtimi i energjisë ishte shumë më i vogël për xhepin e qytetarëve sesa për paratë e tyre të përbashkëta.
Ai po thotë se kjo po i dhemb meqë ato para do të mund t’i shfrytëzonte për të mirën e qytetarëve në shumë fusha të tjera ku ka nevojë, prandaj edhe për këtë bëri thirrje për kursim të rrymës.
“Energjia elektrike te ne është shtrenjtuar, por më duhet të them se te xhepi i qytetarëve kemi një shtrenjtim minimal. Shtrenjtimi është shumë më i madh në xhepin e shtetit sesa në atë të qytetarit, përkatësisht te subvencionimi. Në fillim ndamë 20 milionë euro, më pas 10 milionë dhe tash jemi zotuar për 90 milionë që shpresoj që nuk do të na duhet t’i përdorim. Kuleta e shtetit, paratë e së cilës janë të qytetarëve, e ka paguar shumë më tepër sesa xhepi i qytetarit dhe kjo më dhemb më shumë, sepse ato do të kishim mundur t’i përdorim në fusha të tjera për qytetarët tonë”.
Kurti tha se mosndërtimi dhe mosriparimi i kapaciteteve në këto dy dekada, që u kombinua me shtrenjtimin e energjisë në bursat ndërkombëtare, ka bërë që të ketë një kosto të jashtëzakonshme edhe në Kosovë.
Kryeministri, duke komentuar deklaratën e tij në Kuvend se rryma është e lirë, në televizionin publik tha se edhe kur energjia elektrike është e lirë është mirë të jetë edhe më lirë, por se në kriza ndërkombëtare duhet shpeshtuar thirrjet për kursim.
“Sa më shumë të kursejnë qytetarët, sepse në këtë mënyrë e kursejnë edhe xhepin e tyre edhe kuletën e shtetit. Në kushtet kur ndodhesh në krizë ndërkombëtare dhe në kushtet kur konsumi është mbi dyfishin e gjenerimit, domosdoshmërisht duhet të bëjmë thirrje për kursim të energjisë. Ne e kemi pasur rrymën më lirë në krahasim me vendet tjera dhe ka mundur të jetë shumë më lirë sikur t’i kishim riparuar me kohë”, tha Kurti në rtk.