RajoniTop Lajme

Mehaj kërkon sërish anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE: Është koha sot ajo që nuk pret nesër

Shpërndaje

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka përsëritur kërkesën e tij për pranimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike (NATO).

Ministri ka thënë se është koha ajo që nuk pret, prandaj Kosova duhet të anëtarësohet në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, ministri ka deklaruar se Serbia edhe me qëndrimin e fundit pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën tregoi përcaktimin e qartë pro-rus.

“Qëndrimi zyrtar i Serbisë nuk ishte befasi për askënd nga Bota demokratike perëndimore duke pasur parasysh, se Serbia ka qenë dhe është aleatë i denjë i Rusisë dhe Presidentit Putin.

Një keqardhje hipokrite dhe qëndrim kontradiktor për agresionin rus në Ukrainë është një demonstrim i qartë se pse tani është koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së”, ka pohuar ai.

Ministri Mehaj po ashtu ka thënë se SHBA dhe BE duhet të dënojnë qëndrimin e Serbisë për agresionin e Rusisë në Ukrainë.

“Republika e Kosovës, institucionet dhe populli i saj kërkojnë nga SHBA, BE, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe gjitha vendet e rreshtuara kundër agresionit rus ndaj Ukrainës që të dënojnë qëndrimin mashtrues dhe kontradiktor të Serbisë.

Rusia përmes Serbisë, sikur në vazhdimësi edhe në të ardhmen do të vazhdoj, aktivitetet destruktive për cenimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të rajonit dhe më gjerë”, pohon ai.

Ministri tutje ka shtuar se “pasojat e përpjekjeve për ta joshur Serbinë drejt Perëndimit me lëshime në dëm të konstruktivitetit maksimal politik të Republikës së Kosovës, mund të jenë të rrezikshme, dhe një mundësi e mirë që Serbia të vazhdoj aleancën e ngushtë me Rusinë edhe në të ardhmen”.

“Përsërisim se është koha që nuk pret, që edhe Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, si shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së si dhe Qipro si anëtare e BE-së, të njohin shtetin tone”, thotë tutje ai.

Mehaj ka potencuar se, Republika e Kosovës në secilin dimension të saj për 14 vjet të pavarësisë ka dëshmuar dhe konfirmon fuqishëm se është shtet evropian i ndërtuar dhe funksional mbi parimet dhe vlerat më të larta euroatlantike.

“Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, rrahu kambanën për të gjithë, se kjo është koha që të dihet se kush është në anën e duhur e kush në atë të gabuar të historisë. Kosova, krahas vendeve tjera demokratike doli fuqishëm në mbrojtje të vlerave të Lirisë, Paqes e Demokracisë dhe solidaritetin e plotë me Ukrainën dhe popullin e saj liridashës dhe paqedashës”, shton tutje ai.

Mehaj ka pohuar se Kosova ishte dhe është e vendosur fuqishëm në anën e duhur, për dallim nga Serbia që vazhdon në anën e gabuar të historisë.

“Prandaj, mos hezitoni! Është koha sot, që nuk pret nesër, për vendimin tuaj të duhur! Kosova në NATO! Kosova në BE”, thotë ai.

Ministri Mehaj edhe ditën e diel ka thënë se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.