Njohja e dy rajoneve në Ukrainë nga ana e Rusisë, reagon Erdogan
Vendimi i Rusisë për të njohur dy rajone në Ukrainën lindore si të pavarura është i papranueshëm, ka thënë Ministria e Jashtme e Turqisë.
“Vendimi i Rusisë për të njohur të ashtuquajturat Republika Donetsk dhe Luhansk përbën një shkelje të qartë jo vetëm të marrëveshjeve të Minskut, por edhe të unitetit politik, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ne e konsiderojmë të ashtuquajturin vendim të Rusisë si të papranueshëm dhe e kundërshtojmë atë”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga ministria, përcjell Telegrafi.
Sipas Daily Sabah, ministria nënvizoi më tej angazhimin e Turqisë për të ruajtur unitetin politik dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë ligjin ndërkombëtar.
Turqia, anëtare e NATO-s, e cila ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi, ka lidhje të mira me të dy fqinjët e saj dhe ka ofruar të ndërmjetësojë për krizën, ndërsa paralajmëron Moskën kundër pushtimit të Ukrainës.
Ndërsa forcon bashkëpunimin për mbrojtjen dhe energjinë, Turqia ka kundërshtuar politikat e Moskës në Siri dhe Libi, si dhe aneksimin e saj të Gadishullit të Krimesë në vitin 2014.
Ajo ka shitur gjithashtu drone të sofistikuar në Ukrainë, duke zemëruar Rusinë.
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të hënën dekrete për njohjen e sovranitetit të Luhanskut dhe Donetskut, në një ngjarje televizive në të cilën ai mbajti një fjalim duke vënë në dyshim të drejtën e Ukrainës për shtetësi.