Pendarovski: Kushtetuta s’duhet të hapet tani
Presidenti Stevo Pendarovski shprehet “pro” çdo nisme në drejtim të reduktimit të shpenzimeve nga buxheti i shtetit por jo edhe për hapjen e Kushtetutës në këtë moment, shkruan Alsat.
Ky ishte qëndrimi i Presidentit i pyetur për nismën e VMRO-DPMNE-së për uljen e numrit të deputetëve nga 120 deri 140 në 90 deputetë.
Pendarovski thotë se vendit nuk i duhet tani rihapja e aktit më të lartë juridik kurse nëse kjo ndodh në të ardhmen, nevojitet konsensus absolut mes të gjithë aktorëve, shtoi ai, ndoshta për më shumë çështje se sa numri i deputetëve.
“Në aspektin politik është gjithmonë problematike të hapet Kushtetuta. Qëndrimi im se Kushtetutën gjatë viteve të fundit ne e kemi hapur shumë shpesh. Kushtetuta nuk duhet të hapet shumë shpesh. Kushtetuta duhet të hapet kur vërtetë ka arsye për këtë, dhe po ashtu pjesa tjetër kur ka subjekte politike të cilat që tani paralajmërojnë se jo vetëm që të ulet numri i deputetëve nga 120 deri 140 në 90, por mund të hapen edhe disa çështje të tjera. Kushtetuta është në rend dite praktikisht tani më me këmbënguljen e Sofjes, jo nëse dikush tjetër na imponon, por nëse ne vendosim t’i përfshimë edhe Bullgarët në Kushtetutë”, u shpreh presidenti Pendarovski.
Presidenti këtë qëndrim e dha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në të cilën u diskutua situata e sigurisë së brendshme dhe gjendja në rajon dhe më gjerë. Pendarovski tha për rastin me Ukrainën, vendi është i gatshëm të bëjë pjesën e tij, në rast se ka nevojë për këtë. Ai sqaroi se kjo nuk nënkupton që NATO do të kërkojë trupa luftarak nga Maqedonia e Veriut si vend anëtar, për ndërhyrje luftarake në Ukrainë.
“Në raste krize e cila mund të përshkallëzohet në diçka më të madhe dhe më serioze, në kufijtë e saj, NATO është e obliguar të përpunojë disa skenarë dhe ata thonë “në rast se ka një nivel të këtillë konflikti, çfarë do të ofroni ju si anëtare e NATO-s gjë për të cilën jeni të detyruar”. Vetëm në këtë kuptim flitet për gatishmëri ose rritje të nivelit të mobilizimit të ushtrisë. Por, as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë në kuptimin e pjesëmarrjes me trupa ushtarak në territorin e një shteti i cili nuk është anëtar i aleancës”, tha Pendarovski.
Kjo ishte mbledhja e 18 e Këshillit të Sigurisë dhe e para me anëtarët e rinj nga radhët e qeverisë./Alsat.mk