Putin pret kancelarin gjerman njësoj si Macron, te e njëjta tavolinë
Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar në Moskë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për herë të parë që kur ky i fundit mori detyrën, transmeton Anadolu Agency.
Në hapjen e takimit, Putin tha se dy udhëheqësit kohën më të madhe në takim do të diskutojnë për situatën e sigurisë në Evropë dhe ngjarjet rreth Ukrainës.
“Sot, ne do t’i kushtojmë një pjesë të konsiderueshme të kohës diskutimit të situatës së sigurisë në Evropë dhe diskutimeve që po zhvillohen tani në mënyrë kaq të mprehtë për këtë çështje, përfshirë në lidhje me ngjarjet rreth Ukrainës”, tha Putin.
Putin theksoi se Gjermania është ekonomia më e madhe e Rusisë dhe një nga partnerët kryesorë në Evropë dhe se pavarësisht nga pandemia e koronavirusit (COVID-19) qarkullimi tregtar midis dy vendeve u rrit për 36 për qind vitin e kaluar.
Mbi 100 kompani gjermane punojnë në Rusi, ato investuan mbi 20 miliardë dollarë në ekonominë ruse, ndërsa Moska nga ana tjetër investoi mbi 10 miliardë dollarë në ekonominë gjermane.
“Ne kohëve të fundit kemi qenë shumë të angazhuar në diversifikimin e marrëdhënieve tona dhe ato realisht po zhvillohen në drejtime të ndryshme. Por, natyrisht, tradicionalisht, doli se energjia është një nga fushat prioritare”, tha Putin.
Presidenti rus theksoi se vendi i tij për shumë vite ka qenë një furnizues i besueshëm i burimeve të energjisë për Gjermaninë.
Scholz, nga ana e tij, për marrëdhëniet ruso-gjermane tha se janë “diçka e veçantë duke marrë parasysh historinë” dhe po ashtu theksoi se kanë lidhje të ngushta ekonomike.
“Në këtë kohë, kur një situatë kaq e vështirë është krijuar në lidhje me paqen dhe sigurinë në Evropë, ne duhet të komunikojmë, siç keni bërë tashmë me homologun tim francez, dhe më vjen mirë që tani është e mundur të diskutojmë të gjitha. Është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet ndërmjet vendeve gjithmonë të zgjidhen me dialog”, tha Scholz.
Sot më herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se trupat e saj po kthehen në bazat e tyre pasi një pjesë e stërvitjeve luftarake “po përfundojnë” derisa një stërvitje ruso-bjelloruse në shkallë të gjerë do të zgjasë deri më 20 shkurt.
Duke komentuar raportet për tërheqjen e trupave ruse, ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, në një konferencë për media tha se Ukraina së bashku me aleatët e saj perëndimor arritën të ndalojnë “përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës aktuale me Rusinë”.
Sipas zyrtarëve ukrainas, Moska së fundmi grumbulloi mbi 100 mijë trupa pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikë se Kremlini mund të planifikojë një ofensivë ushtarake kundër fqinjit të saj ish-sovjetik.
Rusia ka mohuar se po përgatitet të pushtojë dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.
Rusia po ashtu lëshoi një listë të kërkesave të sigurisë për Perëndimin, përfshirë tërheqjen e dislokimeve të trupave nga disa vende ish-sovjetike dhe garanci se disa prej këtyre vendeve nuk do të anëtarësohen në NATO.
Në një përgjigje me shkrim ndaj këtyre kërkesave, SHBA tha se është e përkushtuar të mbështesë “politikën e dyerve të hapura” të NATO-s, ndërkohë NATO po ashtu përcolli përgjigjen e vetë aleancës “paralelisht me SHBA-në”.