Shqiptari Dritan Abazoviq gati për ta bërë historinë
Të shtunën në Podgoricë kanë nisur bisedimet preliminare për të siguruar numrat e duhur që do të votonin qeverinë e re. Këtë konfirmim e dha deputeti Millosh Konatar, nënkryetar i nismës qytetare “URA”.
Të premten në mbrëmje Kuvendi i Malit të Zi, pas një seance maratonike votoi rrëzimin e qeverisë me kryeministër Zdravko Krivokapiq. Nismëtar i këtij mocioni të mosbesimit ishte Dritan Abazoviq, që edhe vetë mbante postin e zëvendëskryeministrit.
“Dua që mandatar dhe kryeministër i ri i Malit të Zi të jetë Dritan Abazoviq. Rrëzimi i qeverisë që e kishim deri më këtë katër shkurt nuk është apokalipsi. Do të votohet qeveria e re e cila do të jetë shumë e mirë sesa kjo që e kishim deri më sot”, theksoi Konatar.
“Do të vazhdohet ajo që Dritan Abazoviq e ka bërë deri tani e që është luftimi i pa kompromis i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pa marrë parasysh a do të jetë qeveri e pakicës apo tjetër ne e bëjmë me dije që secili që ka lidhje me krimin e korrupsionin dhe ka thyer ligjin nuk do te jetë i mbrojtur”, shtoi njeriu i dytë në “URA”.
Paraprakisht, Abazoviq deklaroi se është gati të formojë një qeveri të pakicës që do t’i shtynte përpara reformat dhe integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Por kur u pyet se a e sheh veten kryeministër të ardhshëm të shtetit, politikani shqiptar nga Ulqini, u tregua i matur në përgjigje.
“Është shumë herët të flitet për këtë çështje”, tha ai. Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë që u finalizua të premten mori 43 vota për dhe 11 kundër. Në votim, nga 81 deputetë, morën pjesë 54 syresh.