Ushtria ruse nis tërheqjen e trupave nga kufiri me Ukrainën/ Putin: S’dua luftë, mirëpresim dialogun
Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se ai mirëpret një dialog me Perëndimin për çështjet e sigurisë, ndërsa ushtria e tij raportoi tërheqjen e disa prej trupave të saj pranë Ukrainës.
Këto janë sinjale që tregojnë se Kremlini ka zgjedhur një rrugë diplomatike për momentin, pavarësisht frikës perëndimore për një pushtim të afërt rus ndaj fqinjit të saj, raporton noa.al duke cituar Associated Press.
Putin tha se ai nuk dëshiron luftë dhe do të mbështetet në negociatat, ndërsa nxiti Perëndimin që të anulojë ofertën ndaj Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n.
Në të njëjtën kohë, ai nuk u angazhua për një tërheqje të plotë të trupave, duke thënë se lëvizjet e ardhshme të Rusisë do të varen nga mënyra se si evoluon situata.
SHBA dhe NATO kishin paralajmëruar se mbi 130,000 forca ruse të grumbulluara pranë Ukrainës mund të pushtojnë në çdo kohë këtë vend.
Rusia ka mohuar të ketë plane të tilla, duke kërkuar që Perëndimi të mbajë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike jashtë aleancës së NATO-s si dhe të ndalojë vendosjen e armëve pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat nga Evropa Lindore.
SHBA dhe aleatët e saj i kanë hedhur poshtë kërkesat, por i kanë ofruar Rusisë të angazhohet në bisedime mbi mënyrat për të forcuar sigurinë në Evropë.