RajoniTop Lajme

Arrestohen 6 persona dhe mbyllen 14 qendra masazhi në Kosovë

Shpërndaje

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore ka zhvilluar një aksion gjatë ditës së djeshme dhe sot, ku ka kontrolluar qendra të ndryshme të masazheve. Ky aksion është realizuar në bashkëpunim me inspektorë të MTI-së dhe me ATK-në.

Policia ka bërë të ditur se gjatë operacionit janë kontrolluar/inspektuar 57 qendra masazhi, e ku janë iniciuar dy raste për përfshirje të të dyshuarve në veprat penale ‘mundësim apo detyrim në prostitucion’ dhe ‘ofrim i lokaleve për prostitucion’.

Po ashtu, janë arrestuar gjashtë të dyshuar, prej tyre dy janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë me aktvendim të prokurorit.

Nga inspektorët kompetentë janë mbyllur 14 lokale dhe janë shqiptuar gjoba për parregullsitë e evidentuara. Gjatë realizimit të operacionit policor janë legjitimuar 107 persona (96 femra, dy të mitura dhe 11 meshkuj). Nga personat e legjitimuar, me shtetësi të huaj janë hasur 19 (nëntëmbëdhjetë) nga Shqipëria, 4 (katër) nga Tajlanda dhe 1 (një) nga Rumania.