ASH: Qeveria gënjen! Nuk është ulur papunësia, por ka ikur rinia dhe kemi më pak punësime
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj deklaratës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ku thuhet se papunësia ështl ulur në nivelin më të ulët historik.
Nga ASh pretendojnë se nuk është ulur papunësia, por se ka ikur rinia dhe kemi më pak punësime.
Reagimi i plotë i ASH:
Aleanca për Shqiptarët demanton në mënyrë kategorike pretendimet e Qeverisë për ulje të papunësisë dhe këtë e vlerësojmë si një tentim për mashtrim të qytetarëve dhe fshehje të dështimeve të kësaj Qeverie.
E vërteta është e kundërt me atë që pretendohet. Në realitet të dhënat zyrtare dëshmojnë se nuk është ulur papunësia, por është ulur numri i popullatës që në mënyrë aktive kërkon punë. Ky numër zvoglohet vazhdimisht, nga viti në vit dhe është pasojë e ikjes së të rinjëve dhe forcës punëtore nga vendi.
Vetëm për dy vite kur Qeveria manipulon me përqindje, numri i popullatës aktive ka rënë nga 970 mijë në 940 mijë, që do të thotë se 30 mijë qytetarë aktiv janë larguar nga vendi. Për dy vite ka rënë dukshëm edhe numri i të punësuarve. Nga 807 mijë të punësuar në kuartalin e fundit të vitit 2019, numri i të punësuarve ka rënë në 795 mijë në kuartalin e njejtë 2021.
Situatë e njejtë është nëse analizojmë edhe brenda një periudhe më të shkurtë.
Popullata aktive në kuartalin e tretë të vitit 2021 ka qenë 945,158, ndërsa në kuartalin e katërt ka rënë në 937,482, që i bie se për tre muaj kemi 7,676 më pak qytetarë që në mënyrë aktive kërkojnë punë. Në të njejtën periudhë tre mujore kemi edhe rënie të numrit të të punësuarve. Në kuartalin e tretë 2021 ka pasur 796,681 të punësuar, ndërsa në kuartalin e katërt 795,276 apo 1,405 më pak të punësuar. Brenda kësaj periudhe numri i të papunëve ka rënë për 6,241 që është shumë më i lartë se numri i të punësuarve dhe kur krahasohet me uljen e numrit të popullatës aktive rrezulton saktë se bëhet fjalë për qytetarë që janë larguar nga vendi dhe jo që janë punësuar. Këtë e dëshmon edhe fakti se në kuartalin e fundit të vitit 2019 kur kishte 807 mijë të punësuar, shkalla e papunësise ishte më e lartë apo 16, 6 përqind, ndërsa në kuartalin e fundit të vitit 2021 kur numri i të punësuarve ka rënë në 795 mijë, përqindja e papunësisë është ulur në 15,2 përqind.