BotaTop Lajme

Bien çmimet e naftës pasi sanksionet e BE-së përjashtuan naftën ruse

Shpërndaje

Çmimet E Naftës Ranë Për 6 Dollarë Për Fuçi, Pasi Sanksionet E Reja Ndaj Rusisë Nga SHBA-Ja Dhe BE-Ja Përjashtuan Eksportet Ruse Të Naftës Dhe Gazit.

Çmimet e naftës kanë shënuar rënie për shkak të zbutjes së shqetësimeve për furnizim me lajmet se sanksionet e Bashkimit Evropian do të përjashtojnë sektorin rus të naftës, ndërkohë rrjedha e naftës përmes Konzorciumit të Gazsjellësit Kaspik (CPC) do të rifillojë pjesërisht dhe SHBA-ja do të lëshojë më shumë naftë nga depozitat e saj emergjente nëse një gjë e tillë kërkohet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent mëngjesin e sotëm u tregtua me 118,74 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie prej 0,24 për qind pas mbylljes së mëparshme me 119,03 dollarë për fuçi.

Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 111,92 dollarë për fuçi, me një humbje prej 0,37 për qind pasi çmimi i mëparshëm ishte 112,34 dollarë për fuçi.

Derisa zhvillimet nga lufta Rusi-Ukrainë mbeten në qendër në tregun global të naftës, çmimet ranë për 6 dollarë për fuçi gjatë tregtimit të paqëndrueshëm të ditës së djeshme, pasi sanksionet e reja ndaj Rusisë nga SHBA-ja dhe BE-ja përjashtuan eksportet ruse të naftës dhe gazit.

Ndërkohë, vendet e grupit G7 u bënë thirrje vendeve prodhuese të naftës dhe gazit që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe të rrisin dërgesat në tregjet ndërkombëtare, duke theksuar se prodhuesit e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) kanë një rol kyç për të luajtur.

Në hakmarrje, dje Rusia tha se po konsideron monedhat lokale ose monedhën digjitale Bitcoin si pagesë për eksportet e saj të naftës dhe gazit.

Të mërkurën çmimet u vendosën nën presion të shtrënguar të tregut dhe arritën në 120 dollarë për fuçi për shkak të raporteve se eksportet e naftës nga Rusia dhe Kazakistani nëpërmjet CPC-së nga Deti i Zi do të ndaleshin për një muaj e gjysmë. Megjithatë, CPC-ja sot tha se tubacioni do të rifillojë pjesërisht ngarkimin e naftës pas një inspektimi të suksesshëm.

Çmimet u lehtësuan më tej pasi sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm tha se është i mundur lëshimi më i madh i naftës nga depozitat emergjente./AA