Haradinaj në Hagë: Çdo gjë e kam bërë për interesin publik, Prokurori i Specializuar duhet të turpërohet
Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, në fjalën e tij përmbyllëse, ka thënë se të gjitha veprimet e tij i ka ndërmarrë për hir të interesit publik në Kosovë dhe ka shtuar se çdo gjë e ka bërë në mënyrë transparente.
Ai para trupit gjykues ka thënë se Gjykata Speciale është për të vënë drejtësi, por i kundërshton politikat e prokurorisë që sipas tij është e njëanshme.
Në deklarimin e tij para Dhomave të Specializuara në fund të procesit gjyqësor ndaj tij, Nasim Haradinaj ka thënë se nga trupi gjykues kërkon vetëm drejtësi.
“Kjo gjykatë është për të vënë drejtësi, kundërshtimi im qëndron te politika e prokurorisë dhe kjo prokurori nuk po e bën punën e vet kundrejt qytetarëve të Kosovës. Prandaj, të nderuar panel gjykues, nga ju pres drejtësi të pa imponuar, të pandikuar dhe të paanshme. Nga ju nuk kërkoj asgjë tjetër vetëm të dalë në shesh drejtësia dhe uroj që kjo të triumfojë në këtë proces, asgjë tjetër nuk kërkoj përveç drejtësisë. Ndërsa ju prokurore Bolici fjalën kriminel merre mbrapsht dhe mbaje për vete, sepse mua nuk më takon kjo fjalë… Gjithçka, që kam bërë kam bërë haptas dhe me transparencë të plotë dhe për hir të interesit publik të Kosovës dhe gjetiu”, ka thënë Haradinaj.
Gjatë fjalimit, Haradinaj i është drejtuar edhe Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, të cilit i ka thënë se ka deklaruar gënjeshtra gjatë paradites derisa ka folur për dosjet.
“Fjalimin do ta kisha përfunduar sot këtu por meqë zoti kryeprokuror është këtu thash mos po i mbet hatri dhe mendon që nuk e kam vërejt, mendon që nuk ia kam varë, e vërtetë është ashtu, por megjithatë nuk do të thotë që nuk e kam dëgjuar. Smith tha dy çështje, e para interes personal Haradinaj ka interes personal. Smith, mua më njohin të gjithë, me njeh edhe ti dhe e di që kjo është një gënjeshtër dhe nuk ka aspak të bëjë me të vërtetën, po të kisha shikuar aspektin personal do të isha me familjen time, nuk do të isha as në luftë, nuk do të isha kurrë i burgosur. Por kjo ty të duhet që të diktosh në marrjen e vendimit të këtij paneli”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se qasja e kryeprokurorit është si në kohët e diktaturës.
“Ndërsa kërkove të marrë dënim sa më të lartë dhe ajo për të arrit efektin që të mos guxojnë të tjerët të mendojnë kështu, zoti prokuror beso se këtu jeni në kundërshtim me vetveten nëse të kujtohet fjalimi i parë, ti ke thënë që është lejuar dhe e drejtë të mendosh ndryshe. Por zoti prokuror ky mendim që ti e ke është mendim i prokurorive diktatoriale që kanë bërë në 1981 Serbia dhe shumë shtete diktatoriale që kanë menduar me dënime të larta t’ua ndalojnë njerëzve të mendojnë ndryshe. Kjo duhet të turpërojë ty, përvojën tende çerek shekulli që the, shtetin tënd nga vjen dhe këtë institucion që ti e përfaqëson”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se qytetarët e Kosovës me të drejtë ngrenë dyshime ndaj punës së ZPS-së.
“Vetë fakti që ju nuk jepni të dhënat e vendndodhjes së kriminelëve drejtësisë ndërkombëtare siç është Interpoli, e të cilët emra i ka në listën e kërkimit, prandaj me të drejtë unë dhe shumë qytetarë të Kosovës hamendësohemi se kënd ndiqni, kënd mbroni, dhe me kënd po identifikoheni ju”, ka thënë Haradinaj.
Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës./kp/