Kievi vendos barrikadat, Klitschko: Gati për rezistencë
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi banorët se forcat ruse po afrohen me shpejtësi dhe i këshilloi të qëndronin në shtëpi dhe të përgatiten për të mbrojtur qytetin. “Armiku ka mbledhur trupa të shumtë dhe po afrohet gjithmonë e më shumë”, tha Klitschko. “Ne po përgatitemi për të mbrojtur Kievin. U bëj thirrje të gjithëve që të mos humbin guximin”.
Deri tani Kievi i ka rezistuar përpjekjeve ruse për inkursion. Megjithatë, qyteti u bombardua që një ditë më parë nga rusët, të cilët kanë intensifikuar ofensivën e tyre për të marrë atë që vendasit quajnë “zemrën” e Ukrainës. Karvani 65 kilometra i gjatë me mjete të rënda luftarake ruse po afrohet në veri të qytetit por analistët mendojnë se sulmi mund të vijë nga dy drejtime, edhe nga perëndimi.
Ndërkohë, forcat ukrainase kanë ngritur barrikada në pika të ndryshme, për t’u bërë gati për mbërritjen e ushtarëve rusë. Në rrugët e Kievit nuk ka thuajse asnjeri, përveç efektivëve të policisë dhe forcave të armatosura.
Lufta në Ukrainë merr përmasa edhe më dramatike, me trupat ruse që kanë intensifikuar sulmet në zonat rezidenciale. Paraushtarakë rusë zbritën me parashutë në qytetin e dytë më të madh në vend Kharkiv, dhe po luftojnë për të marrë kontrollin e qytetit. Pas bombardimit të selisë se qeverisë lokale u godit edhe një kompleks banimi, ndërsa ka raportime se një predhë ka goditur godinën e departamentit të policisë dhe një pjesë të universitetit Karazin. Sipas kryebashkiakut të Kharkiv, të paktën 21 persona u branë në bombardime e 112 të tjerë u plagosën.
Moska pretendon se trupat ruse kanë pushtuar qytetin strategjik jugor të Kherson, çka do t’i jepte mundësinë ushtrisë së Putinit të avancojë më thellë në qytet. Kryebashkiaku I qytetit port të Mariupol thotë se përballen me breshëri sulmesh raketore. Autoritetet ukrainase thonë se një predhë e lëshuar gjatë natës kishte vrarë të paktën 2 persona në qytetin e Zhytomyr,120 km larg Kievit. Sipas OKB të paktën 136 civilë janë vrarë deri më tani që prej nisjes së pushtimit rus ditën e enjte. OKB pretendon se mes viktimave janë 13 fëmijë, por shifrat reale besohet të jenë shumë më të larta./A2CNN