NATO nuk miraton zonën e ndalim-fluturimit, Blinken: Nuk futemi në luftë me Rusinë
Vuajtjet që kemi parë deri tani në Ukrainë, kanë më shumë gjasë të përkeqësohen se sa të përmirësohen, për aq kohë sa Rusia ndjek këto metoda, vlerëson sekretari amerikan i shtetit Antoni Blinken.
Ai konfirmoi të premten në mbrëmje se NATO nuk do të miratojë një vendim për ndalim fluturimi mbi qiellin e Ukrainës sepse kjo gjë shumë lehtë mund të përshkallëzojë konfliktin.
“E vetmja mënyrë për të zbatuar diçka si një zonë ndalim fluturimi është dërgimi i aeroplanëve në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe rrëzimi i avionëve rusë, dhe kjo mund të çojë në një luftë të gjërë në Evropë. Presidenti Biden e ka pasur të qartë se ne nuk do të futemi në një luftë me Rusinë, por ne do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme me aleatët dhe partnerët për t’u siguruar ukrainasve mjete për të mbrojtur veten në mënyrë efektive”, deklaroi Antoni Blinken, sekretar amerikan i shtetit.
NATO në takimin urgjent të së premtes nuk ju përgjigj pozitivisht kërkesës së Ukrainës për të miratuar zonën e ndalimit të fluturimeve mbi qiellin e saj. Ukraina e kishte kërkuar këtë për të hequr mundësinë e sulmeve në mënyrë ajrore nga ana e Rusisë. Presidenti Volodimir Zelenski, ashpër deklaroi se përgjegjësia për jetët e humbura nga ky moment është e NATO-s.
“Të gjithë njerëzit që vdesin nga kjo ditë e tutje do të vdesin edhe për shkakun tuaj, për shkak të dobësisë suaj, për shkak të mungesës suaj të unitetit. Sot aleanca i ka dhënë dritën jeshile bombardimeve të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës duke refuzuar të krijojë një zonë ndalim-fluturimi. Ju mund të kishit mbyllur hapësirën ajrore. Nuk e di se kë jeni në gjendje të mbroni ose nëse jeni në të vërtetë të aftë për mbrojtjen e anëtarëve të NATO-s”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.
Presidenti rus Vladimir Putin i kërkon perëndimit të mos zbatojë sanksione të tjera. Ai thotë se nuk dëshiron përkeqësimin e situatës.
“Ne nuk kemi asnjë qëllim të keq ndaj fqinjëve tanë. Unë gjithashtu do t’i këshilloja ata që të mos e përkeqësojnë situatën, të mos vendosin asnjë sanksion. Ne i përmbushim detyrimet tona dhe do të vazhdojmë t’i përmbushim ato. Nuk shohim nevojë të përkeqësojmë situatën. Të gjitha veprimet tona janë gjithmonë përgjigje për aktet jomiqësore ndaj Federatës Ruse”, u shpreh Vladimir Putin, president i Rusisë.
Zona e ndalim-fluturimit është një zonë e hapësirës ajrore mbi një vend ku nuk lejohet të fluturojë asnjë aeroplan ose ndonjë objekt tjetër ajror, përveç atyre që kontrollojnë hapësirën ajrore. Ajo zakonisht ndërmerret për t’i mbrojtur civilët në terren gjatë një lufte, si dhe për të lejuar dërgimin e sigurt të ndihmave humanitare. Avionët luftarak kanë për detyrë të shkatërrojnë çdo objekt që futet në zonën e ndaluar të fluturimit.
BE-ja nuk beson se sanksionet mbi Rusinë mund të kenë rezultate të shpejta në ndërprerjen e sulmeve ruse. BE-ja nuk do t’i kërkojë Zelensit të dorëzohet.
“Padyshim, nëse dikush pret që sanksionet financiare t’i japin fund luftës nesër, ai nuk e di se për çfarë po flet. Fatkeqësisht, ne nuk kemi kapacitet për ta ndalur luftën nesër. Ne kemi kapacitetin për të ndikuar, dobësuar ekonominë ruse dhe shumë të tjera, por padyshim, kjo do të marrë kohë”, deklaroi Xhozef Borell, shef i diplomacisë së BE-së.