Maqedoni

Osmani: Fillimin i negociatave gjatë presidencës franceze do të ishte punë e drejtë

Shpërndaje

Vendimi për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare dhe fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjatë presidencës franceze me BE-në do të ishte punë e drejtë dhe e duhur me të gjitha efektet pozitive për të gjithë rajonin.

Ky është mendimi që mbizotëroi në diskutimin e mëngjesit të sotëm të punës së ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, organizuar nën ombrellën e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Sipas MPJ-së, takimi i është kushtuar dosjes evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe është mbajtur në margjinat e Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së. Në takim morën pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Sigurisë dhe njëherit Zëvendës/president i KE-së Josep Borrell dhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin Oliver Varhei.

“Ky takim përkon me luftën në Ukrainë, kështu që ngjarjet e javëve të fundit e ndërruan kontekstin e bisedave tona, por edhe të prioriteteve gjeopolike dhe strategjike të kontinentit evropian. Dialogu ynë merr kthesë sa i përket urgjencës së sjelljes së vendimeve që do ta determinojnë të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut në BE, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, theksoi Osmani.

Në këtë kontekst, Osmani shtoi se Maqedonia e Veriut si vend-kandidat kredibil, 100% u harmonizua me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, por edhe ofroi ndihmë humanitare dhe i hapi dyert e strehimit për të gjithë që ikin nga lufta e tmerrshme në Ukrainë.